Shkup, 17 tetor – Nënkryetari i LSDM-së, Metodija Ilievski, kritikoi ashpër qeverisjen e VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se pushteti po humb mbështetjen sepse qytetarët po jetojnë gjithnjë e më vështirë, ndërsa qeveria me paaftësinë e saj po e tërheq shtetin poshtë.
“Në Maqedoni nuk jetohet më mirë. Shporta e konsumit po rritet, subvencionet për bujqit nuk paguhen me kohë, ndërsa TVSH-ja nuk u kthehet në afat kompanive. Maqedonia është e tejborxhuar, ekonomia stagnon, dhe qytetarët po jetojnë më të varfër. E gjithë kjo është për shkak të keqqeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Kjo parti, për herë të parë në vitet e fundit, ka humbur mbi 100.000 vota që në vitin e parë të mandatit të Hristijan Mickoskit,” tha Ilievski.
Sa i përket zgjedhjeve lokale, Ilievski theksoi se LSDM po ecën përpara me energji të fortë dhe mbështetje në terren.
“Në terren shihet energji e re, fytyra të reja dhe një fushatë pozitive. Në të gjitha komunat ndjehet rikthimi i socialdemokracisë, siç u pa qartë edhe në Manastir,” deklaroi ai.
Ilievski theksoi se LSDM ka kandidatë të mirë, të ndershëm dhe kredibilë për kryetarë komunash dhe këshilltarë. Ai vuri në dukje ofertën e LSDM-së si serioze dhe të ndershme:
“Ne kemi një platformë serioze dhe kandidatë që do të sjellin surpriza pozitive.”
