Nëse bazuar tek të ardhurat 1 në pesë banorë jeton në varfëri në Maqedoni, thuajse gjysma e popullsisë ndihet e varfër dhe me shumë vështirësi përballon shpenzimet mujore. Varfëria subjektive e matur nga Eurostat për vitin e kaluar tregon hendekun me evropianët, por edhe vendeve të tjera të rajonit, por edhe ndjenjën e pasigurisë që shkaktohet nga çmimet, borxhet dhe standardet e jetesës
Evis HALILI
Shkup, 24 tetor – Pyetjes “Sa e keni të lehtë ta përballoni fundin e muajit?” gjysma e të anketuarve në Maqedoni i është përgjigjur negativisht. Anketa e realizuar nga Eurostat me qëllimin për matur varfërinë subjektive, mbi të gjitha ndjenjën e pasigurisë që shkaktohet nga çmimet, borxhet dhe standardet e jetesës, e rendit Maqedoninë në fund të vendeve të Evropës dhe të rajonit. “Sa të lehtë e keni që të përballoni fundin e muajit”, rreth 50 për qind i janë përgjigjur me “me shumë vështirësi” ose “me vështirësi”, shifër kjo që është shumë më e lartë sesa mesatarja e vendeve të BE, ku vetëm 17.4% e europianëve ndihen të varfër, me përjashtim të grekëve dhe bullgarëve, shkruan gazeta KOHA.
Sa i takon rajonit, më keq është Shqipëria (55 për qind) dhe Mali i Zi, ndërsa më pak të varfër ndihen serbët 34 për qind dhe turqit. Eurostat përmes anketës që është krijuar për të plotësuar treguesit tradicionalë të varfërisë, si rreziku për të qenë i varfër, mungesa e rëndë materiale dhe sociale, apo jetesa në familje ku pothuajse askush nuk është i punësuar mat perceptimin individual të njerëzve për të përballuar shpenzimet e përditshme. Ndryshe nga varfëria relative që matet në bazë të të ardhurave.
“Vlen të përmendet se të gjitha grupmoshat panë një rënie në pjesën e përgjithshme nga viti 2023 deri në vitin 2024. Rënia më e madhe u gjet në grupmoshën 18-64 vjeç me 1.8 pikë përqindjeje ndërsa rënia si për grupmoshën më të re ashtu edhe për atë më të vjetër ishte 1.6”, thekson Eurostat.
Por pavarësisht perceptimit, sipas statistikave zyrtare në Maqedoni një në pesë banorë jeton në varfëri. Këtë e tregojnë të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave, në anketën e publikuar muajin e kaluar mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës, e cila kryhet në përputhje me rekomandimet e BE, ku baza për llogaritjet e varfërisë janë të ardhurat. Sipas kësaj ankete, 22.2 për qind e popullsisë ishin të varfër – kategoritë më të prekurat janë familjet me tre ose më shumë fëmijë, si dhe prindërit kryefamiljarë. Varfëria prek kryesisht fëmijët nën moshën 17 vjeç (30 për qind), që do të thotë se një në tre fëmijë rritet në varfëri. Këto janë treguesit e varfërisë Laeken.
Pyetja mbi të cilën bazohet anketa është. Ndryshe nga treguesit relativë të varfërisë – që llogariten në bazë të të ardhurave mesatare të familjeve në një vend – treguesi i varfërisë subjektive mat perceptimin e vetë të anketuarve mbi vështirësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme. Vlerësimi merr parasysh gjendjen materiale të familjes, përfshirë të ardhurat, shpenzimet, borxhet dhe pasuritë. Të anketuarit kanë 6 mundësi zgjedhjeje: Me shumë vështirësi; Me vështirësi; Disi vështirësi; Mjaft lehtë; Lehtë; Shumë lehtë. Sipas përkufizimit të Eurostat-it, familjet që përgjigjen “me shumë vështirësi” ose “me vështirësi” konsiderohen si pjesë e varfërisë subjektive.
Ndryshe, një në gjashtë qytetarë të Bashkimit Europian e percepton veten si të varfër, edhe pse mund të mos jetë i tillë sipas treguesve zyrtarë të të ardhurave. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, për vitin 2024, 17.4 për qind e popullsisë së BE-së raportoi se e përballon jetesën “me vështirësi” ose “me shumë vështirësi”, duke u klasifikuar në varfëri subjektive. Ndër vendet anëtare të BE-së, Greqia kishte përqindjen më të lartë të personave që konsiderohen subjektivisht të varfër (66.8 për qind), e ndjekur nga Bullgaria (37.4 për qind) dhe Sllovakia (28.7 për qind).
Nivelet më të ulëta u regjistruan në Holandë dhe Gjermani (të dyja me 7.3 për qind), si edhe në Luksemburg (8.5 për qind). 17.8 për qind e italianëve ndihen të varfër, përkundrejt 22 për qind të spanjollëve dhe francezëve. Në të gjithë Europën, gratë ndihen disi më të prekura nga vështirësitë financiare (17.8 për qind) se burrat (17 për qind). Varfëria subjektive është më e lartë te të rinjtë nën 18 vjeç (20.6 për qind) dhe më e ulët te mosha mbi 65 vjeç (rreth 15 për qind). Në 16 vende të BE-së, përqindja e atyre që ndihen të varfër është më e madhe se ajo e personave që janë realisht në rrezik varfërie sipas të ardhurave.(koha.mk)
