Komisioni Evropian ka qëllim të heqë më tej masat financiare ndaj Kosovës, nëse pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në veri arrihet një transfer i rregullt i qeverisjes dhe deeskalimi mbetet i qëndrueshëm. Kjo thuhet në draft-raportin e progresit për Kosovën, të cilin Komisioni Evropian pritet ta publikojë më 4 nëntor.
Sipas burimeve diplomatike, kjo nënkupton bartje të qetë të pushtetit dhe marrje të detyrës nga kryetarët e rinj të komunave në veri.
Raporti i progresit, dokumenti më i rëndësishëm që përpilon Komisioni Evropian për vendet e zgjerimit, në rastin e Kosovës nuk evidenton përparime të rëndësishme. Përkundrazi, ai konstaton progres të kufizuar apo përparim të pjesshëm në shumicën e fushave – vlerësime që konsiderohen përgjithësisht të ulëta.
Sa i përket situatës në veri, raporti kritikon veprimet e autoriteteve të Kosovës, të cilat, siç thuhet, kanë qenë në kundërshtim me obligimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian dhe me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, raporton RTK.
Sipas gjetjeve të dokumentit, dialogu ka qenë i penguar për shkak të situatës politike si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Në këtë kuadër përmendet se Serbia nuk ka ndërmarrë masa ndaj autorëve të sulmit në Banjskë, ngjarje që ka shënuar përshkallëzimin më të madh të sigurisë.
Në kapitullin politik, drafti vëren se viti i kaluar është karakterizuar nga përçarje të brendshme politike dhe fushatë konfrontuese në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Po ashtu, theksohet se kjo situatë është ndjekur nga ngërçi politik, si pasojë e mungesës së vullnetit apo paaftësisë së partive politike për të gjetur zgjidhje drejt krijimit të institucioneve.
Kosova gjithashtu kritikohet në fushën e lirisë së shprehjes, ku, sipas draftit, nuk është shënuar asnjë përparim. Raporti përmend sfidat lidhur me transparencën e pronësisë së mediave dhe qëndrueshmërinë e tyre financiare, si dhe sulmet ndaj gazetarëve, përfshirë pengimin në kryerjen e detyrës dhe sulmet verbale nga zyrtarë të lartë qeveritarë.
