Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli këtë të hënë fituesin për kontratën me objekt “Inkubatori i biznesit në arkitekturë dhe ndërtim në Tiranë: Mobilimi”.
Fondi limit vetëm për këtë ndarje ishte 130 mijë euro, ndërsa oferta fituese rezulton 89 mijë euro dhënë nga kompania Ro-Al.
Sipas dokumenteve qëllimi i këtij inkubatori biznesi është krijimi i një qendre moderne dhe multifunksionale që fokusohet në kërkimin, zhvillimin dhe eksperimentimin e produkteve dhe shërbimeve të reja në fushën e ndërtimit, teknologjisë dhe projektimit.
“Kjo qendër do të veprojë si një inkubator që trajton probleme reale të komunitetit dhe teston zgjidhje në ambiente autentike, duke u mundësuar studiuesve dhe profesionistëve të kuptojnë më mirë sfidat dhe të zhvillojnë zgjidhje të përshtatshme” thuhet në dokument.
Sipas FSHZH objektivat kryesore të ndërhyrjes janë disa duke nisur nga rehabilitimi i ish-objektit të ISTN dhe i zonës përreth, duke e transformuar në një hapësirë funksionale për inovacion në ndërtim dhe dizajn.
Së dyti krijimi i një qendre kërkimore dhe projektimi që promovon bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm në fusha si zhvillimi urban, teknologjia dhe aspektet sociale.
Së treti zhvillimi i hapësirave për testim dhe prototipim, ku do të eksperimentohen ide të reja dhe zgjidhje për probleme konkrete, me qëllim gjenerimin e parimeve të reja për teknologjitë ndërtimore.
Së katërti trajnimi i brezave të rinj, duke i pajisur ata me njohuri bashkëkohore në projektim, ndërtim dhe teknologji përmes metodave të avancuara të të mësuarit. Qasja që kërkohet është gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, duke përdorur asetet hapësinore, njerëzore, teknologjike dhe akademike për të fuqizuar komunitetin profesional përballë sfidave të kohës.
Ambienti parashikohet të ketë disa hapësira ku në katin zero hyrja dhe recepsioni. Po kështu është parashikuar një ambient për studio projektimi, një për VR dhe sallë eventesh, laboratori i teknologjisë dhe ndërtimit FAB Lab dhe së fundmi edhe një depo./ Monitor.al
