Çako: Nën monitorim niveli i lumit Vjosa, jemi në gatishmëri

nga D. V.

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka inspektuar sot situatën në urën e Mifolit, një nga pikat më të rrezikuara nga prurjet e larta të lumit Vjosë, ndërsa reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shtuar shqetësimin për daljen e tij nga shtrati.

Gjatë inspektimit në zonën e Novoselës, Çako tha se kjo mbetet një pikë nevralgjike për shkak të shkarkimeve të larta të Vjosës, por theksoi se situata është aktualisht nën kontroll, duke u vlerësuar vazhdimisht në bazë të matjeve të prurjeve.

“Sistemi i mbrojtjes civile është në gatishmëri të plotë. Jemi në një situatë të monitoruar, dhe në Përmet kemi shënuar ulje të prurjeve” deklaroi ai.

Çako njoftoi se situata po ndiqet me intensitet të shtuar në qarqet Gjirokastër, Memaliaj dhe Vlorë, ku prurjet e lumit dhe reshjet e dendura mund të krijojnë problematika të reja.

Në qarkun e Vlorës, sidomos në Delvinë dhe Finiq, disa banorë janë evakuuar si masë paraprake sigurie.

“Ekipet kanë zhvendosur disa banorë për shkak të reshjeve me intensitet të lartë. Forcat e emergjencave dhe ato të armatosura janë në terren,” u shpreh Çako, duke garantuar se strukturat janë të përgatitura për çdo skenar.

Shefi i emergjencave theksoi se, nëse situata e Vjosës do të përkeqësohet, ekipet janë gati të ndërhyjnë edhe në fshatrat e Novoselës për evakuime të mundshme.

“Shpresojmë që prurjet të mbeten të kontrollueshme”, tha ai.

Aktualisht, niveli i lumit Vjosë në zonën e Mifolit ka arritur rreth 5 metra, çka kërkon monitorim të pandërprerë për të shmangur rrezikun e përmbytjeve.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More