Gjatë natës, intensiteti i reshjeve ka pësuar ulje në të gjithë vendin, ndërkohë që sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) kontraktorët kanë vijuar punën për pastrimin e akseve nga rënia e inerteve dhe gurëve nga skarpatet në disa segmente rrugore.
Konkretisht probleme kanë paraqitur akset Tropojë-Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Fierzë, Sopot-Kam, Dushaj-Lekbibaj, Kukës-U. Zapotit-Shishtavec, Kukës-Krumë, Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, Skurraj-Peshkopi, si dhe Elbasan-Qafë Thanë, por ARRSH informon se akset janë hapur.
Po ashtu, sipas Autoritetit, vazhdon prezenca e ujit në disa segmente të tjera të rëndësishme, si Laç-Ura e Drojes, Qafë Gjashtë-Shën Vasil dhe Krane-Syri i Kaltër, Tepelenë-Shtëpez.
Në aksin Maliq-Lozhan, në km 13, në zonën e Moglicës, është raportuar rënie gurësh dhe prani inertesh dhe aluvionesh, që shkaktuan bllokimin e rrugës. Menjëherë, informoi ARRSH, është ndërhyrë për pastrimin dhe hapjen e këtij aksi, i cili tashmë është rikthyer në normalitet.
Aktualisht të gjitha akset nacionale janë të hapura për qarkullimin e mjeteve, dhe autoritetet vijojnë monitorimin e situatës.
