Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë dy masa sigurie për zv.kryeministren Belinda Ballukun, pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit si zëvendës Kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Sipas medieve vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori Dritan Prençi, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Po sipas raportimit në medie, akuzat për shkelje të barazisë në tendera lidhen me çështjen e tunelit të Llogorasë dhe për lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
Ndërkohë në një reagim zyrtar, GJKKO njoftoi se: “lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun. Në momentin e duhur procedural do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”.
Gjithashtu janë vendosur dhe dy masa sigurie “arrest në shtëpie” për dy funksionarë të tjerë, Erald Elezin, kreu i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), dhe Gentian Gjyli, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), njoftojnë mediet.
