Dita e Flamurit në Shkup, mesazhi i Meidanit: Flamuri është amanet brezash

nga D. V.

Shkup, 25 nëntor – Me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit, Ambasada e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut organizoi një ngjarje solemne në Shkup, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore, trupit diplomatik, familje dëshmorësh dhe bashkëkombës nga mbarë vendi.

Në këtë ceremoni, fjalimin kryesor e mbajti ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili theksoi se 28 dhe 29 Nëntori mbeten ditët më të shenjta të kujtesës historike shqiptare, pasi përfaqësojnë lindjen e shtetit shqiptar dhe çlirimin nga pushtimi nazifashist.

“Jemi mbledhur për të nderuar shpirtin e një populli që kurrë nuk u dorëzua, që u sfidua, por nuk u thye kurrë. Një populli që, si Mali i Sharrit, qëndroi përballë furtunave të historisë dhe tha: Ne jemi këtu. Ne do të qëndrojmë. Dhe do të ecim përpara”, u shpreh ambasadori Meidani.

Në fjalën e tij, ambasadori vuri theks të veçantë edhe te roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët i përshkroi si “ura, jo mure; dritë, jo hije; shpresë dhe progres”. Ai nënvizoi se shqiptarët në këtë vend kanë kërkuar gjithmonë dinjitet, barazi, arsim, gjuhë dhe liri qytetare, dhe se sot janë shtetformues e të suksesshëm në ekonomi, diplomaci, kulturë, art e sport.

Duke folur për të ardhmen, Meidani theksoi vizionin evropian të të dy vendeve: “Jam besimplotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, krah për krah, po punojnë për të ndërtuar një model të ri fqinjësie, bashkëpunimi, respekti dhe vizioni evropian. Integrimi evropian nuk është privilegj, por përgjegjësi, reformë dhe ligj”.

Ai bëri thirrje që sakrifica e të rënëve të mos keqinterpretohet: “Ata nuk ranë për urrejtje, as për ndasi, por për të drejtën e çdo njeriu për të jetuar me dinjitet dhe krenar”.

Në fund të fjalimit të tij, ambasadori i bëri thirrje shqiptarëve që flamurin ta nderojnë jo vetëm me fjalë, por me vepra:

“Flamuri nuk valëvitet vetë, e valëvitin ata që besojnë. E valëvitim ne. Gëzuar Ditët Kombëtare, Shqipëri. Lavdi të rënëve për liri.”(INA)

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More