Shkup, 29 janar – Partia maqedonase në opozitë LSDM, thotë se pushteti lokal i OBRM-PDUKM-së-së po helmon qytetarët e Prilepit. Nga LSDM thonë se prej ditësh ndotja e ajrit në qytet është e dukshme me sy të lirë.
“Ajri jashtëzakonisht i ndotur pickon sytë, hundën dhe fytin. Përderisa në qytetet e tjera të rrënuara nga i njëjti problem, kryetarët e komunave kërkojnë zgjidhje për t’u përballur me ajrin e ndotur, Borçe Jovçeski nuk ka një mendim të tillë”, thotë Ivona Kuzmanoviq, anëtare e Këshillit të Komunës së Prilepit nga radhët e LSDM-së.
“Për Jovçeskin dhe OBRM-PDUKM-në, banorët e Prilepit nuk kanë problem me ndotjen, sepse stacionet matëse nuk tregojnë një gjë të tillë. Dhe nuk e tregojnë sepse nuk ekzistojnë. Prilepi është i vetmi qytet në Maqedoni që nuk ka stacione monitoruese për matjen e cilësisë së ajrit, prandaj nuk e dimë shkallën e ndotjes së tij”.