Shkup, 19 shkurt – Mbrojtja e Maqedonisë së Veriut në kuadër të NATO-s është më e nevojshme se kurrë dhe opinioni duhet ta dijë se paqja dhe stabiliteti arrihet edhe me investimin në kapacitetet mbrojtëse, thotë deputeti në Kuvendin e Maqedonisë dhe ish-gjeneralmajor Pavle Arsoski.
Arsoski, i cili sot, si kryetar i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, priti Asociacionin e Atasheve të Mbrojtjes të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, theksoi se vendi ka qenë gjithmonë serioz në lidhje me obligimet e anëtarësimit në NATO, duke përfshirë udhëzimet nga Samiti i Aleancës në Uells në vitin 2014 për ndarjen e së paku 2 për qind për buxhetin e mbrojtjes.
“Ne e arritëm këtë qëllim shumë shpejt pas anëtarësimit tonë në NATO në 2020. Tashmë në 2023, 2024 do të tejkalohet 2 për qind e BPV-së. NATO tani po diskuton më shumë për qind, 3 apo edhe 5, por ajo që është më e rëndësishme është se si ndahen fondet, në çfarë mënyre për sistemin e mbrojtjes. Por, në përgjithësi, opinioni duhet të dijë gjithashtu se paqja dhe stabiliteti arrihet duke investuar në aftësitë mbrojtëse. Nëse doni paqe, përgatituni për luftë, ndaj ne jemi seriozë me detyrimet tona në NATO.