Shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit deri në fund të majit, Mahila: Mundëson pjesëmarrjen në votimin nga jashtë

nga D V

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot Aktin Normativ nr. 1, datë 5.2.2025, “Për një shtesë në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar” dhe Aktin Normativ nr. 2, datë 5.2.2025, “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”.

Për të prezantuar këto 2 akte normative ishte zv.ministri i Brendshëm, Andi Mahila, i cili u shpreh se, “në këto dy akte propozohet që të zgjatet afati i vlefshmërisë përkatësisht për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën për udhëtim jashtë shtetit deri në fund të muajit maj 2025, për shtetasit shqiptarë me vendbanim jashtë vendit”.

Mahila theksoi se, “miratimi i këtij propozimi do të mundësojë pjesëmarrjen e gjerë të votuesve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që do të regjistrohen në platformën PER në zgjedhjet për Kuvendin”.

Mahila nënvizoi se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar me shkresë Këshillit të Ministrave dhe për dijeni partive politike, shtyrjen e afatit të vlefshmërisë  dokumenteve të identifikimit.

“Propozimi i të dy akteve ndikohet si rezultat i situatës aktuale, në të cilën kërkohet mundësimi i të drejtës së votës për shtetasit shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk disponojnë dokumente të vlefshme identifikimi për zgjedhjet për Kuvendin që do të zhvillohen në datë 11 maj 2025. Shqetësim ky i evidentuar edhe në raportin e misionit të vlerësimit të OSBE-së datë 3-6 dhjetor 2024 për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025”, tha Mahila.

Zv/ministri shtoi se, “nevoja dhe urgjenca janë elementë të rëndësishëm, të veçantë në përmbajtjen e nenit 101 të Kushtetutës, së bashku me përkohshmërinë dhe si të tilla janë elementë përcaktues për të drejtën që sanksionon kjo dispozitë. Që këto dy akte normative të marrin fuqinë e ligjit është edhe elementi i tretë që kërkohet miratimi nga Kuvendi brenda 45 ditësh. Kjo është edhe arsyeja e përcjelljes së këtyre dy akteve në Kuvendin e Shqipërisë për të cilët ne kërkojmë si Ministri e Brendshme që të miratohen sa më shpejt nga Kuvendi”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More