Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, deklaroi para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se edhe atij i është marrë telefoni, në kuadër të hetimeve që u zhvilluan nga Prokuroria e Posaçme dhe që përfunduan me arrestimin e 5 personave, dhe dhënien e masave më të lehta të sigurisë për 19 persona të tjerë, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialistë IT.
“Unë nuk di asnjë lloj informacioni se çfarë është trajtuar. Fatmirësisht ligji i arsimit të lartë e ndan shumë mirë anën administrative me anën akademike. Që do të thotë rektori me gjithë stafin akademik e mbaron punën e vet deri në dërgimin e buxhetit në senat. Kam qenë subjekt i marrjes së telefonit, jam treguar totalisht i gatshëm, nuk kam asgjë për të fshehur. Kemi qenë bashkëpunues, kemi dhënë të gjitha informacionet e kërkuara”, tha Sallaku, raporton A2 CNN.
Një hetim i nisur tre vite të shkuara për stafin e Universitetit Bujqësor në Kamzë ka çuar në pranga me urdhër të SPAK 5 persona, 10 në arrest shtëpie e 9 të tjerë në detyrim paraqitje, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialist IT.
Masë sigurie “arrest në burg” është vendosur për Edmond Tërthorjan, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike dhe Mehmet Qoshja, specialist për fondet, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
E njëjta masë është caktuar edhe për Pirro Zogun, drejtues i një subjekti privat I dyshuar për veprën “Falsifikimi i dokumenteve”.
Nga hetimet me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit, janë hetuar nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me vlerë të prokurimit prej 90.000.000 lekë.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; Ilir Kapaj dhe Romina Koto me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe përgjegjësi i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin kanë kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Edmond Tërthorja me detyrë Administrator i UBT-së.
Nga hetimet rezulton po ashtu se shkelje ka pasur edhe pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI. Gjithashtu janë evidentuar raste të zhvillimit të procedurës së prokurimit me operator ekonomik të paracaktuar fitues, për pajisje dhe mallra të tjera, që i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor, disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit.