Fino: Shqipëria ka potencialin të bëhet histori suksesi e zgjerimit të BE-së brenda kësaj dekade

nga Xh M

“Shqipëria ndodhet në një pozitë të fortë ndërkombëtarisht, në rajon dhe në planin e brendshëm, duke u afirmuar si një model suksesi për zgjerimin e BE-së. Ky moment është një mundësi për të dëshmuar që Shqipëria mund të jetë një histori suksesi në valën e ardhshme të zgjerimit, duke e konsoliduar rolin e saj si një partner strategjik për BE-në”.

Kështu u shpreh zv.ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare gjatë së cilës foli për progresin dhe sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Fino foli për hapjen e grup-kapitullit 6 të negociatave, që përfshin marrëdhëniet e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, dhe përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur kriteret e BE-së në këto fusha.

Po ashtu, Fino foli edhe për planet dhe strategjitë për përmbylljen e kapitujve të negociatave, si dhe rolin që Shqipëria pret të luajë në procesin e integrimit në BE.

Intervista e zv/ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino për ATSH:

ATSH: Çfarë progresi ka bërë Shqipëria në ecurinë e grup-kapitullit 6 të negociatave me Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve të jashtme?

Fino: Grupkapitulli 6 i negociatave me BE “Marrëdhëniet e jashtme”, përfshinë dy kapituj mbi politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, politikat tregtare dhe ato të zhvillimit. Këto janë fusha me rëndësi strategjike, veçanërisht në kuadrin e sfidave në situatën aktuale të sigurisë në Evropë dhe në botë. Rrjedhimisht është bërë edhe më e rëndësishme që ku vendet kandidate, si Shqipëria, të përafrojnë plotësisht qasjet e tyre me ato të BE-së.

Shqipëria ka ndjekur një përafrim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me politikat e BE-së që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në 2003. Në mënyrë të veçantë për sa i përket përputhshmërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) ku ka arritur në një standard shumë të lartë, me 100% linjëzim me qëndrimet e BE-së. Gjithashtu edhe roli aktiv në organizata ndërkombëtare ka dëshmuar gatishmërinë dhe aftësinë e Shqipërisë për të kontribuar në arkitekturën e sigurisë dhe bashkëpunimit global. Kjo është reflektuar në angazhime të rëndësishme, të tilla si kryesimi i OSBE-së në vitin 2020, mandati si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023 dhe pjesëmarrja aktive në Misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së.

Në fushën e sigurisë, Shqipëria ka kaluar nga një vend përfitues në një kontribuues aktiv dhe partner i veçantë i BE-së në mbrojtje dhe siguri. Duke përfshirë përparime të qenësishme në masat për kontrollin e armëve dhe luftën kundër trafikimit të armëve, angazhimin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përmirësimin e mekanizmave për sigurinë e informacioneve të klasifikuara, si dhe thellimin e bashkëpunimit me BE-në në çështjet e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes strategjike.

Përparimi i Shqipërisë në këtë grup-kapitull është reflektuar edhe në dy progres-raportet e fundit të Komisionit Evropian, të cilat kanë vlerësuar vendin si të përgatitur mirë dhe në një nivel të avancuar për të vijuar negociatat në këtë fushë. Padyshim që ky vlerësim dhe progresi i Shqipërisë në këtë fushë ishte vendimtar për hapjen e negociatave të Grupkapitullit 6 më 17 dhjetor 2024.

ATSH: Cilat janë sfidat kryesore që Shqipëria duhet të përballet për të përmbushur kriteret e kapitujve të grup-kapitullit 6 dhe si po adresohen ato?

Fino: Adresimi i detyrimeve brenda grupkapitullit 6 ka nisur shumë herët, madje përpara se të hapej zyrtarisht ky grupkapitull, duke reflektuar angazhimin strategjik të Shqipërisë për përafrimin me BE-në në fushat e politikës së jashtme, sigurisë, mbrojtjes dhe tregtisë.

Sfida kryesore në këtë grupkapitull nuk është thjesht përmbushja e kritereve teknike, por vazhdimësia dhe konsolidimi i progresit të arritur. Objektivi është që Shqipëria të vazhdojë të marrë vlerësime gjithnjë e më të larta në raportet e progresit, duke garantuar kushtet për mbylljen e këtyre kapitujve sa më shpejt.

Duke qenë se Shqipëria ka hyrë në këtë fazë të negociatave me një nivel të lartë përgatitjeje, fokusi kryesor tashmë është forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve institucionale dhe administrative për të siguruar zbatimin efektiv të legjislacionit të BE. Kjo përfshin rritjen e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, zbatimin e standardeve të BE-së për rregullimin e tregtisë së jashtme dhe ndihmës shtetërore, si dhe përafrimin e plotë me politikat e sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së, duke kaluar në pjesëmarrje aktive si një partner kontribuues.

Shqipëria tashmë ka vendosur piketat kryesore për mbylljen e këtyre kapitujve, duke hartuar plane të detajuara veprimi që synojnë plotësimin e të gjitha kërkesave deri në 2026. Procesi po vijon sipas planit, me objektivin për të siguruar kalimin gradual në fazën e mbylljes së kapitujve, një moment kyç në procesin e negociatave me BE-në.

ATSH:Si do ta ndihmojë hapja e të gjithë grupkapitujve brenda vitit 2025 procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

Fino: Hapja e të gjithë grup-kapitujve është një hap i natyrshëm dhe i pritshëm në progresin e negociatave, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Ky moment do të ketë disa përfitime të rëndësishme për procesin e integrimit. Në aspektin politik, hapja e grup-kapitujve do të forcojë besueshmërinë e Shqipërisë si një partner serioz në procesin e zgjerimit të BE-së. Ky hap do të dëshmojë se Shqipëria ka jo vetëm përgatitjen teknike, por edhe vullnetin politik për të avancuar me reformat e nevojshme, duke rifituar kohën e humbur në këtë rrugëtim.

Për Shqipërinë, ky zhvillim nuk është thjesht një hap procedural, por një mundësi për të përdorur gjithë përgatitjen e bërë gjatë viteve të fundit dhe për të përshpejtuar më tej procesin e anëtarësimit. Hapja e kapitujve do të vendosë bazat për mbylljen e kapitujve të parë brenda vitit të ardhshëm, duke i lejuar Shqipërisë të ruajë një moment negociues të qëndrueshëm. Ky ritëm i reformave do të ndihmojë Shqipërinë të jetë në një pozitë të favorshme për të mbyllur kapitujt gradualisht, duke e afruar më shumë me anëtarësimin në BE.

Një tjetër përfitim i drejtpërdrejtë i hapjes së grupkapitujve është rritja e aksesit në fondet dhe programet mbështetëse të BE-së, të cilat janë thelbësore për të financuar reformat dhe për të përmirësuar kapacitetet institucionale.

Shqipëria ndodhet në një pozitë të fortë ndërkombëtarisht, në rajon dhe në planin e brendshëm, duke u afirmuar si një model suksesi për zgjerimin e BE-së. Ky moment është një mundësi për të dëshmuar që Shqipëria mund të jetë një histori suksesi në valën e ardhshme të zgjerimit, duke e konsoliduar rolin e saj si një partner strategjik për BE-në.

Duke marrë parasysh progresin e bërë dhe mbështetjen nga BE, hapja e kapitujve brenda 2025 do të sigurojë kohën e nevojshme për të arritur objektivin e mbylljes së kapitujve të parë sa më shpejtë. Shqipëria ka vendosur një plan ambicioz, por të realizueshëm, duke synuar mbylljen e kapitujve më të avancuar deri në 2026. Në këtë kontekst, hapja e të gjithë grupkapitujve nuk është vetëm një hap procedural, por një tregues i qartë i përkushtimit të Shqipërisë për të përfunduar me sukses këtë proces. Me ritmin aktual të reformave dhe mbështetjen e BE-së, Shqipëria ka potencialin të bëhet një histori suksesi e zgjerimit brenda kësaj dekade.

ATSH: Sa i përket mbylljes së kapitujve të parë të negociatave me BE-në, cili është synimi dhe si mund të arrihet?

Fino: Shqipëria ka vendosur një strategji të qartë dhe të strukturuar për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave me BE-në brenda 2026. Shqipëria synon përmbylljen e piketave të ndërmjetme të grupkapitujve themelorë para finalizimit të Grup-kapitullit 6. Kjo qasje do të ndihmojë veçanërisht në krijimin e një ritmi të qëndrueshëm në negociata, duke demonstruar se Shqipëria është e aftë të përmbushë kriteret e BE-së. Gjithashtu, kjo do të rris edhe besueshmërinë ndaj procesit negociator dhe do të sjellë edhe sigurimin e mbështetjes më të madhe nga BE, e cila do të përforcojë angazhimin politik dhe financiar për të përshpejtuar fazat e mëtejshme të anëtarësimit.

Veçanërisht në këndvështrimin e aspiratës për përmbylljen e negocimit teknik brenda vitit 2027, ky synim është i realizueshëm. Në këtë kontekst, mbyllja e kapitujve të parë sa më shpejtë do të shërbejë si një katalizator për të garantuar që Shqipëria të ruajë një ritëm të shpejtë negociator deri në fazën përfundimtare. Në këtë formë do të krijohet motivim shtesë për të vijuar me intensitet më të lartë në negociatat e mëtejshme si dhe duke dëshmuar se Shqipëria ka kapacitet për të prodhuar rezultate të matshme dhe të qëndrueshme, duke e pozicionuar si një vend kandidat me perspektivë të qartë anëtarësimi. Ky proces do të sigurojë që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim brenda dekadës, duke e afirmuar si një nga vendet më të avancuara në këtë valë të zgjerimit të BE-së.

ATSH: Shqipëria pritet të mbajë konferencën e katërt ndërqeveritare, cilat janë prioritetet kryesore të vendit tonë në këtë konferencë?

Fino: Megjithëse data 18 mars nuk ishte e mundur të realizohej për shkak të rrethanave të kalendarit të papërshtatshëm, Shqipëria mbetet e përkushtuar për të mbajtur konferencën e katërt ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur, idealisht brenda muajit prill. Për më tepër, po punojmë për të krijuar kushtet që të kemi jo vetëm këtë konferencë, por edhe një të pestë në një afat të arsyeshëm kohor, për të siguruar progres të vazhdueshëm në negociatat tona me BE-në.

Sa i përket angazhimit tonë, Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe ka intensifikuar përgatitjet për këtë konferencë, duke i dhënë prioritet hapjes dhe përparimit të kapitujve të mbetur të negociatave, përshpejtimit të përgatitjeve për mbylljen e kapitujve të parë, sigurimit të mbështetjes teknike dhe financiare nga BE për reformat kyçe, si dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në politikat e përbashkëta të BE-së në siguri, tregti dhe zhvillim ekonomik.

Duke qenë se ky është një proces dypalësh mes Shqipërisë dhe BE-së, data e konferencës do të zyrtarizohet në momentin që do të kemi një ftesë dhe një datë të konfirmuar nga BE për zhvillimin e saj. Ajo që është e qartë, është se Shqipëria ka bërë përgatitjet e saj dhe është gati për të avancuar negociatat me ritëm të përshpejtuar.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More