Më 27 mars u mbajt në Tiranë Asambleja e Përgjithshme e Confindustria Albania, një ngjarje me rëndësi të madhe për botën sipërmarrëse dhe institucionale italiane në vend, me titull “Konkurrueshmëria dhe e ardhmja: Bizneset, Territori, Komuniteti Konfindustria”.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili mori pjesë në këtë Asamble u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, për krijimin e një klime investimi dhe inovacioni, si dhe konfirmoi vëmendjen e MEPJ për t’u bërë një urë lidhëse mes vendeve për nxitjen e eksporteve dhe tërheqjen e investitorëve strategjikë.
Në një intervistë për RTSH-në, në emisionin “Realitete Shqiptaro – Italiane” Hasani u shpreh se, “është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se diplomacia ka një dimension që është ai ekonomik. Diplomacia ekonomike është ajo që i afron më shumë vendet, krijon mundësi, krijon partneritete dhe nuk është vetëm një marrëdhënie midis dy entiteteve që flasin për gjëra politike, gjëra sigurie, por flasin për jetën e përditshme, për punët e përbashkëta që janë pa dyshim ekonomia, tregtia dhe marrëdhëniet njerëzore dhe pikërisht kjo është arsyeja që unë jam sot këtu për të shtyrë përpara me një dimension që është shumë i rëndësishëm”.
Hasani theksoi se, “Italia është jo vetëm një nga partnerët tanë kryesorë ekonomikë, por në të njëjtën kohë është një nga partnerët tanë më të afërt përsa i përket të gjitha angazhimeve që ka Shqipëria, në radhë të parë integrimin e Shqipërisë në BE dhe është shumë e rëndësishme që ne këtë dinamikë ta mbajmë gjallë, ta forcojmë dhe të krijojmë rezultate sa më të shpejta”.
Sa i përket afrimit të biznesit italian në vendin tonë, Hasani u shpreh se, “pa dyshim është detyra e qeverisë, është detyra e të gjithë institucioneve të qeverisë shqiptare që të krijojnë klimën e nevojshme për të tërhequr çdo njeri që dëshiron të investojë dhe sa mirë do të ishte që edhe biznesi i madh t’i afrohet Shqipërisë”.
“Unë dëgjova me vëmendje ambasadorin dhe më pëlqeu shumë batuta që ai bëri, që në vende të vogla nuk domethënë që duhet të vijnë vetëm biznese të vogla dhe mundësitë janë që të vijnë edhe bizneset e mëdhaja. Le t’i ndihmojë, le të angazhohemi, le të jemi pranë tyre dhe të krijojmë mundësitë që të mos jenë vetëm momente fillestare, por të jenë gjithmonë në vazhdim të këtyre punëve të mira që janë nisur”, tha ministri Hasani.