Presidenti Begaj nderohet në Gjilan – Policia merr masa për sigurinë e vizitës

nga D. V.

Nga data 10 deri më 12 prill, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, ndërsa sot, më 10 prill, në ora 13:00, do të vizitojë Komunën e Gjilanit.

Presidenti Begaj do të pritet nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, me qëllim që të nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i kësaj komune.

Gjatë qëndrimit në Gjilan, presidenti do të zhvillojë takim me shefat e grupeve parlamentare politike në Kuvendin Komunal, si dhe do të mbajë një bashkëbisedim me personalitete të shquara të qytetit, përfshirë të dënuar politikë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shkrimtarë dhe artistë.

Me rastin e kësaj vizite, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të saj nga pika kufitare në Vërmicë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare në rajonet e ndryshme të vendit, Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në segmente të caktuara rrugore, në intervale të shkurtra kohore, ku do të kalojë eskorta.

Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin e plotë të qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik gjatë kohës së vizitës. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More