Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, po zhvillon një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, me ftesë të ministrit të Shtetit për Tregti të Jashtme dhe President i Kongresit Ndërkombëtar të Investimeve (AIM), Dr. Thani Al Zeyoudi.
Ismaili po përfaqëson Kosovën në edicionin e 14-të të AIM 2025, që po mbahet në Abu Dhabi nga data 7 deri më 9 prill.
Në kuadër të kësaj vizite, Guvernatori Ismaili mori pjesë në Tryezën e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore, të udhëhequr nga Dr. Mahmoud Mohieldin, i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Financimin e Agjendës 2030.
Kjo tryezë u cilësua si një platformë kyçe për shkëmbimin e ideve mbi sfidat dhe mundësitë ekonomike në një botë multipolare.
Në fjalën e tij, Ismaili vuri në pah zhvillimet pozitive ekonomike në Kosovë dhe angazhimin e BQK-së për stabilitet financiar dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Prioritetet tona janë forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit financiar, adresimi i rreziqeve nga transformimi digjital dhe teknologjitë e reja, si dhe harmonizimi i kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Evropian,” tha ai.
Guvernatori theksoi gjithashtu se BQK po punon intensivisht në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe rritjen e përfshirjes financiare.
“Jemi të përkushtuar në integrimin në sistemet moderne të pagesave dhe ruajtjen e bashkëpunimit të ngushtë me institucionet financiare evropiane dhe ndërkombëtare,” theksoi Ismaili.
Gjatë vizitës zyrtare, ai u prit edhe në një takim nga drejtues të lartë të Bankës Qendrore të Emirateve, përfshirë zëvendësguvernatorët përgjegjës për mbikëqyrjen e bankave dhe sigurimeve, si dhe operacionet bankare.
Palët diskutuan për bashkëpunimin në fusha si mbrojtja e konsumatorit, lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, promovimi i bankimit alternativ dhe avancimi i kapaciteteve profesionale.
“Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit dhe zgjerimit të partneriteteve strategjike mes bankave qendrore,” u tha në deklaratën zyrtare të BQK-së.
Në kuadër të qëndrimit në Abu Dhabi, Guvernatori Ismaili zhvilloi edhe takime me zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë të EBA-së dhe delegacione nga vende pjesëmarrëse në AIM 2025. Gjithashtu, ai mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Shpreh mirënjohjen time të thellë për mikpritjen e ngrohtë nga autoritetet e Emirateve dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës sonë në këtë vizitë të rëndësishme,” deklaroi Ismaili.