Një punonjës i kompanisë Ford dhe tre persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me një operacion të madh vjedhjeje.
Ata dyshohen se kanë vjedhur pjesë makinash me vlerë prej miliona dollarësh, shkruajnë mediat e huaja.
Skema thuhet se ka zgjatur më shumë se dy vite, ku pjesë si parakolpë dhe drita janë marrë direkt nga linjat e prodhimit në tre uzina të Ford-it.
Pjesët e vjedhura dyshohet se janë shitur në mënyrë të paligjshme përmes dyqaneve të pavarura të automjeteve.
Gjatë kontrollit të realizuar në dy biznese në Detroit dhe dy banesa, policia gjeti pjesë të reja të grumbulluara nga dyshemeja deri në tavan.
Të arrestuarit, emrat e të cilëve nuk janë bërë ende publik, pritet të përballen me akuza të tilla si vjedhje e rëndë, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe drejtim i një aktiviteti të paligjshëm.