Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.
Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa u prit jashtë ambienteve të prokurorisë së posaçme edhe nga mbështetës të tij dhe simpatizantë të PD.
Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, Berisha lexoi edhe mesazhin që la në SPAK, duke theksuar se “qëndrimi mbrojtës ndaj krimit elektoral i Altin Dumanit, përbën një krim të rëndë antikushtetues”.
Kryedemokrati hodhi sërish akuza në drejtim të gjyqtares së GJKKO-së Irena Gjoka. Sipas Berishës “Irena është me 5 mbiemra dhe është dënuar dhe dëbuar nga shteti grek”.
Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të muajit.
Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet e për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.
Kreu i Partisë Demokratike është në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
