OpenAI thuhet se po zhvillon një rrjet social të vetin, të ngjashëm me X-in (ish-Twitter), sipas burimeve të afërta me situatën. Edhe pse projekti është ende në fazat e hershme, portali The Verge raporton se ekziston një prototip i brendshëm që përfshin një ‘feed social’ të fokusuar në gjenerimin e imazheve përmes ChatGPT-së.
Burimet tregojnë se drejtori i OpenAI, Sam Altman, po kërkon në mënyrë joformale mendime rreth këtij projekti nga njerëz jashtë kompanisë. Ende nuk është e qartë nëse rrjeti social do të prezantohet si aplikacion i veçantë apo do të integrohet në ChatGPT, i cili muajin e kaluar u bë aplikacioni më i shkarkuar në botë.
Krijimi i një rrjeti social brenda ose në lidhje me ChatGPT-në mund të përshkallëzojë më tej konkurrencën tashmë të tensionuar mes Altmanit dhe Elon Muskut.
Hyrja në tregun e rrjeteve sociale do ta fuste gjithashtu OpenAI-n në një përplasje më të drejtpërdrejtë me kompaninë Meta, e cila sipas raportimeve po planifikon të shtojë një feed social në aplikacionin e saj të ri të pavarur me inteligjencë artificiale.
Kur disa muaj më parë qarkulluan informacione se Meta po zhvillonte një aplikacion konkurrues të ChatGPT-së, Altman reagoi në X “Ok, ndoshta do ta bëjmë edhe ne një rrjet social.”
Një aplikacion i tillë do t’i mundësonte gjithashtu OpenAI-së të ketë qasje në të dhëna unike dhe të freskëta në kohë reale – të dhëna që X dhe Meta tashmë i përdorin për të trajnuar modelet e tyre të inteligjencës artificiale.