Shkup, 17 shtator – Jemi sot këtu për të denoncuar një tjetër mashtrim dhe dështim të madh të kryetarit në ikje, Bilall Kasami.
Në vitin 2021, ai u zotua para qytetarëve se për vetëm 6 muaj do të ndërtonte 7 parkingje me kate. Sot, pas katër vitesh, Tetova nuk ka asnjë parking të ri, një premtim i zbrazët që tregon fytyrën e vërtetë të këtij keqmenaxhimi.
Kryetari në ikje nuk ndërtoi asnjë parking të ri. Përkundrazi, vend-parkimet ekzistuese, si ky ku jemi sot, i bëri me pagesë, pa ofruar asnjë zgjidhje. Si pasojë, vetëm u rritën shpenzimet e banorëve dhe qytetarëve.
Po ashtu, kryetari në ikje premtoi se parkimi do të ishte falas deri në zgjidhjen e problemit me hapësirat publike. Çfarë kemi sot? Qytetarët e Tetovës paguajnë 40% më shumë për parkim zonal dhe për parkingjet e mbyllura. Pra, nga njëra anë premtime boshe, nga ana tjetër zhvatje e drejtpërdrejtë e qytetarëve.
Ndërkohë, Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” ka punuar me humbje çdo vit, katër vite rresht ose në total mbi 25 milion denarë humbje.
Këto humbje janë mbuluar nga paratë e taksapaguesve tetovarë, pra nga buxheti i Komunës së Tetovës, për një veprimtari e cila kryesisht ka të bëjë me gjobitjen e qytetarëve. Kjo do të thotë se tetovarët paguajnë dy herë: një herë kur paguajnë gjobat dhe herën e dytë kur nga taksat dhe tatimet e tyre mbulojnë humbjet e ndërmarrjes. Ky është një akt i pastër hipokrizie institucionale dhe një dështim total.
Dhe pse ky dështim? Sepse paratë e qytetarëve nuk shkojnë për shërbime më të mira, por për paga dhe borde fiktive. Në vitin 2024 shpenzimet për paga dhe kompensime u rritën ndjeshëm, që është një shenjë e qartë se janë bërë punësime të panevojshme për militantë partiakë të BESA-s dhe VMRO-së, meqë kjo ndërmarrje tash më 4 vite menaxhohet nga kuadër i VMRO-së.
Pra, qytetarët paguajnë më shumë, ndërmarrja mbyllet në borxhe, ndërsa militantët partiakë shpërblehen me vende pune. Ky është modeli i kryetarit në ikje Bilall Kasami, mashtrime, zhvatje dhe kapje partiake e institucioneve publike.
Të nderuar qytetarë,
Më 19 tetor, Tetova do t’i japë fund kësaj papërgjegjësie. Tetova ka nevojë për menaxhim me plan, me llogaridhënie dhe me dinjitet.