Elbasani i është bashkuar qyteteve të tjera të vendit, ku ka nisur zbatimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot foto nga ndërhyrjet në qytetin e Elbasanit, ku objekte të vendosura në mënyrë të paligjshme po pastrohen për t’i kthyer hapësirat e zëna në shërbim të qytetarëve.
Rama bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë edhe një fazë tjetër, ajo e konsultimit me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël për të hartuar “Projektrregulloren kombëtare të hapësirës publike”, një dokument që pritet të shërbejë si standard për trajtimin e hapësirës së përbashkët në të gjitha bashkitë e vendit.
“Edhe Elbasani po rimerr frymë. Së shpejti do të konsultohet me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël “Projektregullorja kombëtare e hapësirës publike””, theksoi Rama.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike është intensifikuar prej disa javësh në zona të ndryshme të vendit dhe po shoqërohet me mbështetje të strukturave të rendit dhe inspektoriateve, me qëllim vendosjen e rregullit, barazisë dhe aksesit të lirë për të gjithë qytetarët në mjediset e përbashkëta urbane.