Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi Rezenbrik Serjani, e ka cilësuar akt të turpshëm politik emërimin e Halilit, pasi sipas tyre, u zbatuan urdhrat e Edi Ramës dhe “komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi”.
“Me një zell të verbër, paligjshmëri e servilizëm, për të zbatuar urdhrat e sektit politik të Edi Ramës dhe komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi, ky këshill jo vetëm që injoroi rregulloren e funksionimit të vet, por shkeli Kushtetutën dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Emërimi politik i një kryetari të komanduar për Bashkinë e Vlorës është dëshmi e qartë se ky Këshill nuk është asgjë tjetër veçse një noter i fundit që vulos vendimet e parapërgatitura në zyrat e Partisë Socialiste”, thuhet në reagimin e PD-së.
Ndër të tjera, PD Vlorë deklaron se bashkia është shndërruar në një degë lokale të Partisë Socialiste, një zyrë ku interesi publik është zëvendësuar nga pazaret e pushtetit dhe korrupsioni urbanistik.
“Kryetari i sotëm, i votuar me “jeshile” nga kartonët e shumicës socialiste, nuk përfaqëson qytetarët e Vlorës, por vullnetin e një grupi të ngushtë që synon të vazhdojë projektet grabitqare të mbetura pezull nga paraardhësi i tij të njohura tashmë për dështime e abuzime siç janë: grabitja e tokave në Kaninë, vazhdimi i shkatërrimit të Portit Detar, grabitja e pronës publike në Plazhin e Vjetër dhe në stadiumin e qytetit, e dhjetëra projekte të tjera prej nga qytetarët vlonjatë dhe Vlora nuk përfitojnë asgjë” tha ai.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë vlonjatë, në emër të Partisë Demokratike Vlorë, jam sot për të denoncuar një tjetër akt politik të turpshëm në Këshillin Bashkiak të Vlorës.
Sot, Këshilli Bashkiak i Vlorës, me votat e shumicës socialiste, shfaqi edhe një herë fytyrën e vërtetë të kapjes politike dhe shkeljes së çdo norme demokratike.
Me një zell të verbër, paligjshmëri e servilizëm, për të zbatuar urdhrat e sektit politik të Edi Ramës dhe komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi, ky këshill jo vetëm që injoroi rregulloren e funksionimit të vet, por shkeli Kushtetutën dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Emërimi politik i një kryetari të komanduar për Bashkinë e Vlorës është dëshmi e qartë se ky Këshill nuk është asgjë tjetër veçse një noter i fundit që vulos vendimet e parapërgatitura në zyrat e Partisë Socialiste.
Kryetari i votuar me kartonat e turpit socialist pa legjitimitet dhe në kundërshtim me ligjin, u promovua nga propaganda socialiste si një “udhëheqës” i punëve publike, ndërkohë që në të vërtetë është një zbatues i projekteve më të dëmshme për qytetin: ngushtimi i rrugëve, kaosi në projektin e ujësjellësit, betonizimi pa kriter, shkatërrimi i Sheshit të Flamurit, ngushtimi i Bulevardit Vlorë-Skelë, të cilat janë ndërhyrje të pseudoprojekteve që kanë rrëmbyer miliona euro nga taksat e qytetarëve vlonjatë dhe e kanë bërë Vlorën të mos jetë më Vlorë.
Bashkia e Vlorës, nën sundimin e këtij klani politik, është shndërruar në një degë lokale të Partisë Socialiste, një zyrë ku interesi publik është zëvendësuar nga pazaret e pushtetit dhe korrupsioni urbanistik.
Kryetari i sotëm, i votuar me “jeshile” nga kartonët e shumicës socialiste, nuk përfaqëson qytetarët e Vlorës, por vullnetin e një grupi të ngushtë që synon të vazhdojë projektet grabitqare të mbetura pezull nga paraardhësi i tij të njohura tashmë për dështime e abuzime siç janë: grabitja e tokave në Kaninë, vazhdimi i shkatërrimit të Portit Detar, grabitja e pronës publike në Plazhin e Vjetër dhe në stadiumin e qytetit, e dhjetëra projekte të tjera prej nga qytetarët vlonjatë dhe Vlora nuk përfitojnë asgjë.
Sot, u komandua një kryetar i paligjshëm bashkie, për të firmosur paligjshmëri!
Bashkia Vlorë ka nevojë për një kryetar të mirëfilltë bashkie, një njeri që e njeh mirë qytetin dhe kërkon të jetë shërbestar i saj dhe jo grabitqar.
Vetëm një kryetar bashkie i zgjedhur nga opozita do të jetë zgjidhja përfundimtare e kapjes së Bashkisë Vlorë nga kthetrat e abuzimit, dështimit dhe korrupsionit.