Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit ka zbritur këtë të martë në Gjirokastër, për të marrë pjesë në ceremoninë e çeljes së një projekti të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së tij kreu i SPAK, mandati i të cilit përfundon në dhjetor të këtij viti, u ndal te rrugëtimi i tij profesional dhe pasioni për drejtësinë.
“Jam futur në vitin e 26 të karrierës sime si prokuror dhe e dua punën që bëj. Pavarësisht posteve që kam mbajtur, që nga oficeri i policisë gjyqësore, prokuror në nivele të ndryshme, deri te drejtues i SPAK, unë gjithmonë e shoh veten si prokuror. Kjo është ajo që jam dhe ajo që dua të jem,” tha ai në materialin e siguruar nga Newsbomb.
Ndër të tjera, ai nuk nguroi që të pranonte se drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka qenë sfida më e madhe e jetës së tij profesionale, një detyrë që kërkon përfshirje të plotë, integritet dhe profesionalizëm maksimal.
Drejtimi i kësaj strukture të posaçme, në një moment vendimtar për shtetin shqiptar, shihet nga Dumani si një përgjegjësi e madhe, por edhe një privilegj i veçantë për t’i shërbyer vendit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Është një detyrë që kërkon përfshirje të plotë, përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe shumë përkushtim. Nga ana tjetër, është edhe një privilegj i madh të drejtosh një strukturë të tillë në një moment kaq të rëndësishëm për shtetin shqiptar,” u shpreh kreu i SPAK, duke shtuar më tej se pavarësisht vështirësive, përballja me sfidat bëhet e mundur kur ekziston dashuria për punën dhe mbështetja e një ekipi të përkushtuar.
“Kam pasur fatin të punoj me një trupë prokurorësh të posaçëm, me integritet dhe profesionalizëm. Ata janë motori i SPAK, ata që kanë kryer hetimet më të rëndësishme. Falënderimi im më i madh shkon për ta,” theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij kreu i SPAK ftoi studentët që të besojnë te puna dhe përshkushtimi, pasi nëse dashuria për atë çfarë janë duke bërë nuk mungon, atëhere çdo sfidë përballohet.
Pjesë nga fjala e Altin Dumanit:
Do të jem sërish prokuror. Jam futur në vitin e 26 të karrierës time si prokuror dhe e kam pasion, e dua punën që unë bëj, pavarësisht nga postet që kam pasur, që nga oficeri i policisë gjyqësore, prokuror, prokurori në nivele të ndryshme prokurorie, në shkallë të parë në Apel. Dhe patjetër që unë nuk e shoh veten time veçse si prokuror.
Patjetër sfida më e madhe e karrierës sime ngelet drejtimi i SPAK. Një detyrë e cila kërkon një angazhim, përfshirje të plotë, përgjegjësi shumë e madhe, nga ana tjetër një privilegj shumë i madh që të drejtosh një strukturë të tillë në momente kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar. Por, që jam përpjekur ta përballoj me profesionalizëm, me integritet dhe patjetër duke u angazhuar natë e ditë në përmbushje të detyrës. Për mua është privilegj shumë i madh të jesh drejtues i SPAK.
Ka pasur edhe sfida të tjera, por këtë do konsideroja si sfidën më të madhe dhe kjo është dhe një këshillë për ju studentët, nëse ti e do punën që bën, i përkushtohesh asaj, patjetër sfidat përballohen, patjetër që sfidat nuk përballohen vetë, Kam pasur një trupë prokurorësh tamam të posaçëm me integritet dhe profesionalizëm të cilët ata janë motori i SPAK, që kanë kryer hetimit më të rëndësishme në atë strukturë dhe falenderimi shkon për ta.
