Partia Demokratike ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së ambasadorëve shqiptarë në takimet politike të Edi Ramës jashtë vendit. Kreu i grupit Gazment Bardhi tha se diplomatëve nuk u lejohet me ligj që të jenë pjesë e partive apo aktiviteteve politike. Bardhi tha se ky është krim që dënojet me 3 vjet burg dhe paralajmëroi kallëzim në SPAK për Edi Ramën, Taulant Ballën dhe ambasadorët e perfshirë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi e cilëson të paligjshme, pjesëmarrjen e ambasadorëve të Shqipërisë në aktivitetet poltike të Edi Ramës dhe Taulant Ballës jashtë vendit.
Nisur edhe nga takimi i djeshëm në Nju Jork, Bardhi thotë se aktivitetet politike të Ramës dhe Ballës jashtë vendit kanë provuar jo vetëm braktisjen nga shqiptarët, por edhe fenomenin e shkrirjes së shtetit me partinë.
Kurrë, askund, Trupa Diplomatike nuk merr pjesë në aktivitete partiake dhe aq më pak nuk shërben si trupë elektorale e partisë në pushtet. Funksioni kërkon paanësi politike dhe përfaqësim me dinjitet të Shqipërisë në Botë.
Sipas ligjit nr. 23/2015, Shërbimi i Jashtëm është pjesë përbërëse e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, integritetit, dhe PAANËSISË POLITIKE. Përveç detyrimeve të parashikuara nga ligji për nëpunësin civil, Ambasadorëve dhe stafeve të tyre NUK U LEJOHET me ligj të bëjnë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike apo TË MARRIN PJESË në veprimtaritë e organizuara prej tyre. Shkelja e këtyre detyrimeve ligjore pas-sjell shkarkimin nga detyra.
Sipas Bardhit, pjesëmarrja e ambasadorëve shqiptarë në aktivitetet politike të Ramës dhe Ballës, është shkelje e rëndë e ligjit, ndërsa kërkon që SPAK dhe presidenti Begaj të veprojnë.
Pa dyshim që ky është një KRIM që dënohet me 3 vjet burg nga Kodi Penal, sipas paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 328/a të Kodit Penal “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Përgjegjësi penale sipas ligjit kanë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri Taulant Balla, për përdorimin e burimeve njerëzore shtetërore për zgjedhje, dhe Ambasadorët e stafet e tyre diplomatike, për pjesëmarrje në aktivitete politike. Për këtë qëllim, kam udhëzuar përgatitjen menjëherë të një kallëzimi penal në SPAK ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Ambasadorëve që janë evidentuar deri më tani në aktivitete partiake/zgjedhore dhe stafeve të tyre përkatëse diplomatike.
Bardhi u bëri thirrje Presidentit Begaj dhe SPAK-ut të përmbushin misionin e tyre kushtetues, për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe për të ndëshkuar secilin zyrtar të shtetit që dhunon kaq brutalisht ligjin, për interesa të pushtetit personal të Edi Ramës!
