Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar Komisionit Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të shtyjë miratimin e projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane”, duke ngritur shqetësimin për mungesën e një procesi të plotë konsultimi me grupet e interesit.
Në seancën dëgjimore të mbajtur në Komision Parlamentar përfaqësues të lartë të AmCham, përfshirë zëvendëspresidentin Rexhino Çekrezi, drejtorin ekzekutiv Neritan Mullaj, sekretarin Dritan Nako dhe nënkryetarin e Komitetit Ligjor dhe Rregullator, Ened Topi theksuan nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar me projektligjin tjetër që lidhet drejtpërdrejt me këtë fushë: “Për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve”. Sipas AmCham, miratimi i projektligjeve në mënyrë të ndarë rrezikon të sjellë mbivendosje ligjore dhe paqartësi për biznesin.
Drejtori AmCham, Neritan Mullaj, përcolli shqetësimin për kohën e shkurtër të konsultimit me grupet e interesit dhe theksoi se projektligji për mbetjet urbane po shqyrtohet në mungesë të një procesi paralel konsultimi me projektligjin “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”. Sipas tij, këto dy nisma ligjore janë organikisht të lidhura dhe duhen trajtuar në mënyrë të koordinuar, pasi përndryshe disa nene të njërit ligj mund të përjashtojnë apo të bien ndesh me dispozita të ligjit tjetër, duke krijuar pasiguri ligjore dhe pengesa për biznesin.
Në të njëjtën linjë, nënkryetari i Komitetit Ligjor dhe Rregullator të AmCham, Ened Topi, solli shembuj konkretë të mbivendosjeve ligjore mes dy projektligjeve, duke theksuar se një harmonizim paraprak është i domosdoshëm për të shmangur konfuzionin gjatë zbatimit. Ai theksoi se që nga mënyra e nxjerrjes së akteve nënligjore (VKM) deri te nenet që rregullojnë trajtimin e mbetjeve nga prodhuesit, kërkohet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe diskutim paraprak me grupet e interesit.
Sekretari i Bordit të Dhomës Amerikane, Dritan Nako, njëherësh përfaqësues i industrisë së çimentos, në rradhë të parë përshëndeti nismën e ndërmarrë për përafrimin e legjislacionit mjedisor me atë Evropian me besimin e padiskutueshëm që implementimi i tij do të sjellë ndryshime të domosdoshme dhe pozitive në vend, për sa i takon sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Nga ana tjetër, referuar Nenit 72 të draft ligjit ai theksoi nevojën e menjëhershme të industrisë për të pasur mundësinë ligjore të importimit të lëndëve alternative nga “lista e gjelbër” e Katalogut Evropian, në kushtet ku disponueshmëria e tyre brenda vendit ende nuk ekziston, me qëllim përdorimin e tyre si zëvendësues të lëndëve djegëse fosile. Ai iu referua gjithashtu praktikave më të mira evropiane si dhe rekomandimeve të shprehura ne raportin e Bankës Botërore për vitin 2024 për Shqipërinë sa i takon masave që duhen marrë në kuadër të ndryshimeve klimaterike, duke theksuar se kjo zgjidhje do t’i mundësonte industrisë së çimentos të realizojë për vendin deri në 40% të objektivave të vendosura nga OKB për dekarbonizimin, duke siguruar në të njëjtën kohë optimizimin e kostove të saj të prodhimit dhe garantuar nivelin e nevojshëm të konkurrueshmërisë në tregjet e eksportit.
AmCham e ka përfshirë këtë kërkesë edhe në rekomandimet e saj drejtuar ministrive dhe komisioneve parlamentare përkatëse, duke theksuar se importi përjashtimor i dy rrjedhave të listës së gjelbër do të mundësonte jo vetëm arritjen e objektivave të dekarbonizimit, por edhe optimizimin e kostove për prodhuesit vendas, operimin me efiçencë energjitike, sigurimin e një niveli të shëndetshëm të eksporteve të produkteve “Made in Albania” në tregjet evropiane e për pasojë rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Në përfundim, Dhoma Amerikane i kërkoi Komisionit që të shtyjë miratimin e projektligjit, në mënyrë që të ketë kohë për të reflektuar të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e biznesit, si dhe për të zhvilluar një proces të plotë konsultimi paralel për të dy projektligjet që lidhen me menaxhimin e mbetjeve./Monitor.al