Në këtë muaj të festave kombëtare, Ansambli i Këngëve dhe Valleve çeli siparin e aktiviteteve të tij kushtuar nëntorit të festave, me premierën e koncertit “Shqipëri, o nëna ime”.

Që nga koralet, vallet dhe kostumografia, çdo gjë e përfshirë në programin e këtij koncerti flet për ADN-në e shqiptarëve, bashkimin nën një flamur, pavarësisht se ku ndodhen.
Artistët e TKOBAP-së sollën për publikun e pranishëm në sallë, disa nga perlat e gurrës sonë popullore, në një mbrëmje plot ritme, ngjyra dhe emocione. Publiku e tejmbushi sallën dhe dhuroi duartrokitje të gjata për orkestrën, grupin e AP dhe solistët.

Në këtë koncert ishte i pranishëm edhe tenori Kastriot Tusha. Publiku përjetoi thellësisht shpirtin e muzikës dhe valleve shqiptare, si një homazh i denjë për traditën dhe krenarinë tonë kombëtare.
Trupa e “ansamblit kuqezi” do të udhëtojë me këtë koncert fillimisht drejt Fierit e më pas drejt Vlorës, ku do të zhvillojë një shfaqje të veçantë Ditën e Flamurit.
