Dështimi i shtetit faturohet në viktimizimin e fëmijëve!

nga I.A

Shkup, 8 janar – Rasti tronditës i abuzimit seksual dhe shantazhit financiar ndaj një 16-vjeçareje nga Komuna e Likovës nuk është vetëm një kronikë e zezë apo incident i izoluar kriminal. Ky rast është një alarm i fuqishëm për gjendjen e mjerueshme sociale, institucionale dhe morale, jo vetëm në Likovë, por në mbarë shoqërinë tonë. Kur një fëmijë dhunohet për muaj të tërë, shantazhohet, kërcënohet dhe përdoret si mjet për përfitime seksuale e financiare nga dhjetëra persona, pyetja thelbësore nuk është vetëm kush janë autorët, por edhe ku ka qenë shteti? shkruan Zhurnal.

Skandal i rëndë që nuk duhet të kalojë me lehtësi – 

Fakti që në këtë rast dyshohen të paktën 17 persona të moshave të ndryshme tregon për një fenomen të organizuar, për një zinxhir heshtjeje dhe bashkëpunimi kriminal që nuk mund të ndodhë pa një terren social të kalbur dhe pa mungesë totale të kontrollit institucional. Abuzimi i një të miture për muaj me radhë nuk ndodh brenda natës. Kjo ndodhë kur ka heshtje, indiferencë dhe dështim të plotë të mekanizmave mbrojtës.

Indinjata publike është e pashmangshme, prandaj, edhe ka reaguar gjithsecili prindër, vëlla, bashkëshort, shok e mik. Si është e mundur që një vajzë 16 vjeçare të mbetet pa mbrojtje, pa mbështetje psikologjike, pa reagim të hershëm nga institucionet arsimore, sociale dhe policore? Ku ishin qendrat për punë sociale? Ku ishte sistemi i arsimit? Ku ishin strukturat komunale dhe mekanizmat e parandalimit? Apo edhe një herë po dëshmojmë se fëmijët mbeten vetëm numra statistikorë, ndërsa institucionet reagojnë vetëm pasi tragjedia ka ndodhur?

Ky rast duhet të marr epilog tragjik për auturët në mënyrë që të shërbejë si edukim – 

Arrestimi i një personi është një hap i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm. Drejtësia nuk duhet të ndalet te një emër apo një fytyrë. Nëse vërtetohet se kemi të bëjmë me një grup të organizuar, atëherë përgjegjësia penale duhet të jetë maksimale, pa kompromis, pa ndikime lokale, pa mbrojtje politike apo shoqërore. Çdo tolerim, çdo vonesë, çdo relativizim i këtij rasti do të ishte një fyerje e rëndë ndaj viktimës dhe një mesazh i rrezikshëm për shoqërinë.

Por përtej aspektit penal, ky rast nxjerr në pah një dështim të thellë të përkujdesjes për fëmijët, veçanërisht në zonat rurale dhe të margjinalizuara si Likova. Varfëria, mungesa e edukimit seksual, frika, mentaliteti patriarkal dhe turpi shoqëror krijojnë një mjedis ku viktimat heshtin, ndërsa abuzuesit ndihen të paprekshëm. Kjo është një plagë që kërkon trajtim serioz dhe afatgjatë, jo reagime të përkohshme mediatike.

Shoqëria jonë duhet të ndalet dhe të reflektojë. Një shtet matet nga mënyra se si i mbron më të pambrojturit, e në këtë rast, shteti ka dështuar rëndë. Prandaj, edhe kjo analizë apo komentim i situatës më tragjike të ndodhur në këtë fillim viti nuk është thjesht shprehje indinjate, por një thirrje urgjente për përgjegjësi dhe veprim konkret. Sepse nëse edhe pas këtij rasti gjithçka harrohet, atëherë fajtorë nuk do të jenë vetëm abuzuesit, por të gjithë ne që heshtim.

Kujtojmë që, fëmijët nuk kanë zë e detyra e shoqërisë dhe e shtetit është ta bëjnë atë zë të dëgjohet para se të jetë tepër vonë. E tani ky rast le të shërbej si shembull veprimi para se të ketë pasoja. Sepse, edhe rastet e vetvrasjeve janë shndërruar në normalitet për moshat e mitura, abuzimet, përdorimi i substancave narkotike, e dukuri të tjera ndodhin sepse ka terren dhe hapësirë e kjo hapësirë duhet të minohet në mënyrë që të ndërtojmë gjenerata të reja të shëndetshme. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More