Një raport i kompanisë Anthropic zbulon një evolucion ogurzi të krimit kibernetik.
Kompania Anthropic, krijuesi i inteligjencës artificiale Claude, ka bërë të ditur se sistemet e saj janë keqpërdorur për të kryer sulme kibernetike në mbarë botën.
Në raport thuhet se bëhet fjalë për një praktikë të re të njohur si “vibe-hacking”, ku AI jo vetëm ndihmon, por edhe ekzekuton vetë fazat kyçe të sulmit – nga mbledhja e të dhënave deri te formulimi i kërkesave për shpërblim.
Sipas raportit, sulmuesit kanë përdorur Claude Code për të goditur të paktën 17 organizata brenda një muaji në sektorë të ndryshëm – nga institucione shëndetësore dhe shtetërore, te komunitete fetare dhe shërbime emergjente. Kërkesat për shpërblim kanë arritur deri në gjysmë milioni dollarë.
Përveç “vibe-hacking”-ut, janë zbuluar edhe keqpërdorime të tjera:
Mashtrime në punësim të lidhura me Korenë e Veriut, ku mjetet e AI janë përdorur për intervista të rreme dhe punësim në kompani të IT-së.
Gjenerimi i ransomware-it që është shitur në rrjet me çmime nga 400 deri në 1200 dollarë.
Mashtrime romantike me ndihmën e një boti AI në Telegram, që synonte viktima në SHBA, Japoni dhe Kore.
Anthropic thekson se ka reaguar ndaj çdo incidenti duke bllokuar llogaritë përkatëse, duke futur sisteme të reja për zbulimin e abuzimeve dhe duke njoftuar autoritetet përkatëse.
Megjithatë, kompania pranon se aktorët keqdashës kanë gjetur mënyra për të anashkaluar filtrat e sigurisë, gjë që ngre pyetjen se sa të sigurta dhe të pambrojtura ndaj keqpërdorimeve janë sistemet e AI.