Atentati në Kumanovë/ BDI ndryshon qëndrimet, akuzon mediat për shtrembërim të fjalëve

nga D. V.

Shkup, 9 tetor – BDI ndryshoi qëndrimet e një dite më parë kur plagosjen e mjekut Zekirja Shaini e quajtën si të qëllimshme për të nxitur tensione dhe frikë në kohë fushate. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi mohon të kenë politizuar aksidentin dhe akuzon gazetarët se i shtrembërojnë fjalët e eksponentëve të BDI-së.

“Po i bishtëroni fjalët e eksponentëve të BDI-së, qëndrimeve të BDI-së, kumtesat e BDI-së…Në qoftë se gjeni një qëndrim të BDI-së, përfaqësuesve të BDI-së zyrtar po flas në krijim të tensioneve, prap nesër ne këtu do të jemi dhe nxjerrni. Por jeni duke gabuar, nuk e keni analizuar mirë situatën”, deklaroi Arbër Ademi – BDI.

Por çfarë tha Ademi një ditë më parë për këtë rast? Këto janë fjalët e tij.

“Jemi thellësisht të shqetësuar dhe të tronditur nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës së këshilltarëve në Komunë e Likovës, Zekirija Shahini. I cili u qëllua nga një person i maskuar dhe u plagos. Fatmirësisht jeta e tij është jashtë rrezikut, por vet fakti që në mes të një fushate zgjedhore ndodh një atentat i tillë përbën një alarm serioz për demokracinë, rendin dhe sigurinë publike në vend. Ky nuk është një incident i zakonshëm por një akt i rëndë, i qëllimshëm dhe makabër që synon të krijojë pasiguri, frikë dhe tension”, tha Arbër Ademi – BDI.

Se BDI tentoi që rastit t’i japë konotacion politik, akuzojnë edhe nga koalicioni VLEN. Nga kjo parti thonë se BDI dëshiron të manipulojë në kohë fushate me tragjedi familjare. Vet Shaini tha se nuk ka armiqësi politike me askënd, ndaj bien poshtë të gjitha pohimet e opozitës, thonë nga VLEN.

“BDI deshi të bëhet hero në hesapet e dikujt tjetër dhe kjo nuk kaloi. Në vend të qetësimit të situatës, po shohim teatër politik të tyre që si zakonisht, dëshiron të krijojnë perceptim se “dikush punon kundër tyre”. BDI po keqpërdorë edhe problemet e bashkëpartiakëve. Ky është model i vjetër i manipulimit publik, përmes viktimizimit politik, që synon të mbulojë humbjen e elektoratit”, njoftojnë nga VLEN.

Në ditën kur ndodhi atentati, BDI ngriu aktivitetet politkke, ndërsa partitë tjera dënuan sulmin e armatosur dhe kërkuan zbardhjen e rastit. MPB dje njoftoi se tentim vrasja ka të bëjë me çështje familjare dhe jo politike. Policia mbajti për disa orë bashkëshorten e Shahinit, Arjeta Adili, ndërsa në kërkim është Lulzim Falziu nga Gostivari. Ditë më parë Alsat raportoi ekskluzivisht se Fazli nuk është personi që i maskuar ka shtënë me armë ndaj mjekut dhe nuk ndiqet në këtë cilësi. Nga Prokuroria Publike njoftuan se deri në këto momente ende nuk ka arritur kallëzimi penal nga MPB. Në rrethana jo zyrtare mësojmë se organi i akuzës është duke pritur dëshmi shtesë për atentatin e 6 tetorit. /Alsat.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More