Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka folur për aktakuzën ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua me 19 prill 2023, raporton Ekonomia Online.
Ai, në një konferencë për media, ka thënë se vetë instalimi i Krasniqit në krye të KEK-ut ka qenë problematik. Mirëpo, sipas tij, fatkeqësia më e madhe qëndron se edhe pas arrestimit të tij, “i madh e i vogël nga partia në pushtet e nga qeveria, i dolën në mbrojte atij duke u përpjekur ta shfajësonin”.
Ai ka theksuar se ndërprerja e bllokut A5 Termocentralin Kosova A i ka kushtuar Kosovës rreth një milionë euro në ditë, të cilën e sipas tij e ka ndërmjetësuar njeriu tjetër i pushtetit, ambasadori i Kosovës në Kroaci dhe “kryemafiozi i energjisë”, Martin Berishaj”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës këtë javë ngriti aktakuzë ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua me 19 prill 2023. Siç e thotë aktakuza, ky njeri nga 15 tetori i vitit 2021 e deri më 19 prill 2023, kur edhe u arrestua, në cilësinë e personit zyrtar, ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Duhet ta themi se vetë instalimi i tij në krye të KEK-ut ka qenë problematik. Sepse këtë person aty e solli partia në pushtet, pasi dhe ai ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe ai erdhi në këtë pozitë nga Bordi i Përkohshëm, të cilin e kishte emëruar Qeveria Kurti”.
“Derisa kjo ishte e keqja e parë, fatkeqësia tjetër është se edhe pas arrestimit të Nagip Krasniqit, i madh e i vogël nga partia në pushtet e nga qeveria, i dolën në mbrojte atij duke u përpjekur ta shfajësonin. E mbronin dhe e mbrojnë ani pse e dinin se ky person dyshohej e akuzohej për negocimin e një tenderi sekret në vlerë prej 3.4 milionë eurove. Krejt kjo kur blloku A5 në Termocentralin Kosova A ishte ndërprerë, e në mënyrë të pakuptimtë shtyhej remonti i këtij blloku. E kjo i kushtonte Kosovës rreth 1 milionë euro në ditë duke blerë rrymë, të cilën e ndërmjetësonte njeriu tjetër i pushtetit, ambasadori i Kosovës në Kroaci dhe kryemafiozi i energjisë, Martin Berishaj”, ka thënë Azemi, raporton EO.