Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas përfundimit të seancës plenare, akuzoi opozitën për krijimin e pamundësisë për të vijuar diskutimin për rendin e ditës në Kuvend.
Balla tha se opozita do të marrë gjithmonë këtë përgjigje sa herë që nuk do të lejojnë zhvillimin normalisht të seancave plenare, duke iu referuar kalimit në votim të pikave të rendit të ditës pa diskutime, gjatë seancës së sotme.
“Këtu ka një strategji tepër të qartë të një personi të vetëm. Sali Berisha këtë e ka zanat”, tha Balla.
Balla u shpreh se, kreu i PD, Sali Berisha merr fjalën 7 herë për procedurë, edhe pse rregullorja thotë që mund të merret fjala vetëm një herë.
“Si kryetar i grupit, sa kohë të jem kryetar i grupit të kësaj shumice parlamentare, në momentin që strategjia e Saliut për të mos lënë të flasin deputetët e tij, e për pasojë mos na lërë të flasim as ne, do të marri këtë përgjigje”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së u ndal edhe tek kërkesa e opozitës për mocion me debat dhe krijimin e komisionit të posaçëm për fondet IPARD.
“Këto dy nene nuk lidhen kurrë në rregullore me njëra-tjetrën, sepse nëse kërkon një komision të posaçëm, ky është një vendim i Kuvendit pa debat. Tani ti thua: Unë kërkoj një mocion me debat për një çështje pa debat. Tani o do kërkosh mocionin me debat e hajde të flasim për diskutimin, ose do ngrijmë një komision të posaçëm”, tha Balla.
“Jemi në kushtet kur ne kemi gatishmëri të pranojmë të gjitha kërkesat e mundshme që vijnë nga grupi parlamentar i PD apo nga grupe të tjera. Por këto kërkesa, pikësëpari, duhet të jenë bazuar në rregullore, në formë dhe substancë, patjetër duhet të jenë të bazuara në rregullore sa i përket çështjes specifike dhe këto kërkesa duhet të bashkëshoqërohen. Ju flisni për një raport të një institucioni. A mund ta kemi këtë raport? Sepse na rezulton që ky raport është konfidencial. Pra nuk është dokument zyrtar”, theksoi Balla.
I pyetur për kërkesat e opozitës për debat për të ashtuquajturën çështje “Aruba”, Balla tha se e ka dëgjuar zallamahinë e Partisë Demokratike në lidhje me individin Artur Shehu.
“E thanë dhe sot. Tani për transparencë të publikut, Artur Shehu është njeriu që ka transportuar në makinën e vet Sali Berishën në vitin 2000 për të hyrë në Vlorë, që të jemi korrekt dhe t’i themi ca gjëra. Dhe e di Vlora, e di gjithë Shqipëria. Pra ky njeri që na kërkon përgjegjësi, t’ia kërkojë vetes. Unë nuk kam udhëtuar me të, asnjë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Sali Berisha është personi”, tha Balla.