Ballanca: Numri i gjyqtarëve sa gjysma e mesatares evropiane

nga D. V.

Avokati i Popullit, Erinda Ballanca prezantoi sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, raportin e veprimtarisë për vitin 2024-ën të këtij institucioni.

Në nisje të fjalës, Ballanca u ndal te problematikat e sistemit gjyqësor në vend, duke e cilësuar si emergjente nevojën për ndërhyrje dhe investime në sistemin gjyqësor.

“Kemi një sistem gjyqësor, i cili është larg mesatares evropiane për 100 mijë banorë. Nëse në Evropë kjo shifër është 21.9 gjyqtarë për 100 mijë banorë, në Shqipëri është 14.9 gjyqtarë sipas dekretit që përcakton numrin total të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë. Ndërkohë, gjyqtarë efektiv sipas raportit të fundit për 2024-ën, ne kemi vetëm 9.8 gjyqtarë për 100 mijë banorë, pra gjysmën në raport me Evropën”, tha Ballanca.

Avokati i Popullit cilësoi se “në një realitet si Shqipëria, një vend që ka goxha konflikte sociale, pronësore, apo krim të organizuar, janë këta gjyqtarë me gjysmën e kapaciteteve evropiane të gjyqtarëve që përballojnë më shumë punë se sa ajo që është e përballueshme sipas standardeve të Këshillit të Evropës”.

“Ka ardhur koha t’i kthehemi mbështetjes së gjyqtarëve dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me pagat më dinjitoze, por kushte pune dhe mundësi për të punuar në një realitet normal, pasi mbingarkesa dhe presioni që kanë është i jashtëzakonshëm”, vijoi Ballanca.

Ballanca theksoi se “fenomeni i zbardhjes së vendimeve gjyqësore tej çdo afati të parashikuar jo vetëm nga ligji, por edhe mbi 6 muaj është një tjetër problematikë”.

Sipas Ballancës, raporti vjetor i Avokatit të Popullit për vitin 2024 është një material që mund të studiohet në tërësinë e tij, ose në një fushë e së drejtës.

“Avokati i Popullit është një institucion i cili është përfshirë në procesin e integrimit, në 360 gradë. Jemi një institucion që nuk i janë lënë detyra specifike, pasi jemi konsideruar në përputhje me standardet e BE-së. Pas 25 viteve, Avokati i Popullit ka bërë një ligj të ri dhe me këtë, Shqipëria bëhet vendi i parë në përputhje me standardet e Venecias për ligjin e Avokatit të Popullit”, cilësoi ajo.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi duke risjellë në vëmendje vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, e konsideroi Gjykatën e Apelit, një han pa porta.

“Gjyqtari duket të ndihet i sigurt në vendin e punës. Është Këshilli i Ministrave që në vitin 2020 ka hequr policët në gjykata. Kjo VKM ka bërë që të mos ketë siguri dhe gjykatësit të jenë të pambrojtur. Gjykata e Apelit ka 90 gjyqtarë, që nuk dinë a kanë apo jo zyra”, tha Bardhi.

Bardhi u ndal edhe te niveli i respektimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit në lidhje me minimumin jetik në vend.

“Nga viti 2020, Avokati i Popullit ka dhënë një rekomandim që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave ekonomike të qytetarëve që ka të bëjë me caktimin me ligj të minimumit jetik. Ka pesë vite që Kuvendi i Shqipërisë nuk e respekton rekomandimin e Avokatit të Popullit”, tha Bardhi.

Ballanca iu përgjigj Bardhit, duke u shprehur se “minimumi jetik është një referencë shumë e rëndësishme që mungon në mbrojtjen shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

“Raporti i dytë u bë pas identifikimit të kësaj çështjeje. E gjithë reforma e sigurimeve shoqërore ka një nevojë për frymë të re. Me gjithë përmirësimet që janë bërë në katër e vitet e fundit në rritjen e pensioneve, të pagesave për personat me aftësi të kufizuar, për individët pa të ardhura, përsëri çdo përmirësim nuk i afrohet minimumit jetik. Ne jemi një nga vendet në Ballkan me investimin më të ulët në programet e mbështetjes sociale”, tha Ballanca.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More