Balluku në Monako: Shqipëria, drejt transformimit në hub mesdhetar turistik me marina inteligjente

nga D. V.

Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Konferencën Ndërkombëtare për Marinën Inteligjente dhe të Qëndrueshme, e cila u zhvillua në Monako, ku u diskutuan zhvillimet dhe mundësitë në industrinë detare dhe turizmin bregdetar.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në këtë konferencë prezantoi strategjinë kombëtare të marinave dhe planet për zhvillimin e infrastrukturës detare të Shqipërisë.

Balluku theksoi se Shqipëria po punon për të transformuar bregdetin e saj në një pikë kyçe të industrisë detare në Mesdhe, duke i dhënë një hov të ri zhvillimit të marinave dhe porteve.

“Plani për ndërtimin e një porti të ri komercial në zonën e Porto-Romanos, apo ndërtimi i portit të ri në Triport, i ka dhënë një hov të ri industrisë së marinave, pasi marina e Durrësit dhe marina e Vlorës shumë shpejt do të nisin operacionet e tyre. Por nga ana tjetër, kjo industri e re, pjesë e industrisë detare, po zhvillohet me hapa të qenësishëm dhe inovatore në të gjithë Europën”, tha ajo.

Shqipëria, vijoi ajo, duhet të jetë në të njëjtin hap me vendet e tjera evropiane që kanë zhvilluar marinën dhe industrinë detare.

“Kjo konferencë në Monako ishte një mundësi për të krijuar lidhje të forta me qeveritë dhe investitorët ndërkombëtarë, të cilët shfaqin interes të madh për këtë sektor në vendin tonë”, tha Balluku.

Balluku informoi se skuadra e Luca Dinit, arkitektit të njohur italian, prej disa muajsh po punon me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë për të dizenjuar strategjinë e Marinave Inteligjente dhe të Qëndrueshme.

“E gjithë kjo punë do ta kthejë Shqipërinë në një hub mesdhetar të një industrie si pjesë e turizmit që tashmë është kthyer në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë tonë, por, që nga ana tjetër duhet të ketë sa më shumë inovacion për të prodhuar një qëndrueshmëri edhe për dekadat e ardhshme”, shtoi Balluku.

Ministrja përmendi gjithashtu rëndësinë e trajnimit të rininë shqiptare mbi këto inovacione dhe industrinë detare.

“Sot ishte një ditë e shkëlqyer për të promovuar të gjithë ecurinë e infrastrukturës shqiptare. Asaj të aviacionit, infrastrukturës rrugore, por mbi të gjitha infrastrukturës detare dhe lajmi më i mirë është se kjo infrastrukturë e re, ky sektor i ri, që do të zhvillohet në vendin tonë, do të ketë nevojë për djem dhe vajza të reja të cilat duhen trajnuar dhe duhen shkolluar mbi këto inovacione dhe industrisë detare, për ta kthyer vendin tonë në një pikë tërheqëse për të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillojnë jetën e tyre, pushimet në detin shqiptar”, u shpreh Balluku. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More