Balluku: Pagesat e energjisë me kartë bankare në sportelet e OSHEE-së

nga D. V.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se qytetarët do mund të paguajnë faturat e energjisë edhe me kartë bankare në çdo pikë shërbimi të OSHEE-së.

Balluku thekson se ky është një tjetër shërbim i shpejtë, i thjeshtë dhe mbi të gjitha pa asnjë kosto shtesë.

Ministrja bën me dije se ky shërbim i ri fillon në Tiranë dhe shumë shpejt do të jetë i aksesueshëm në të gjithë qytetet e vendit.

Zv.kryeministrja e konsideron këtë shërbim si një hap përpara, në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

“Një tjetër hap konkret nga OSHEE Group për t’i bërë sa më të lehta shërbimet. Modernizohemi çdo ditë, për të qenë sa më afër qytetarëve”, shprehet ministrja Balluku.

Projekti pilot është implementuar fillimisht në Tiranë, ku sportelet janë pajisur me aparate POS që pranojnë kartat e çdo banke, pa asnjë kosto shtesë për abonentët.

Ky shërbim vjen si pjesë e procesit të digjitalizimit dhe synon ta bëjë pagesën më të shpejtë, më të sigurt dhe më të lehtë për qytetarët.

Përmes pagesave me kartë qytetarët përfitojnë shërbim të shpejtë dhe komod pasi transaksionet kryhen menjëherë.

Pagesat e faturave të energjisë elektrike përmes kartës ofrojnë siguri më të lartë duke shmangur mbajtjen e shumave të mëdha në dorë.

Përveç pagesave me kartë, klientët e OSHEE mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike edhe fizikisht në sportelet tona, përmes platformës e-albania, apo kanalet alternative si Posta Shqiptare, pikat e transferimit të parave, si dhe bankat e nivelit të dytë.

Këto kanale u japin qytetarëve fleksibilitet dhe mundësi zgjedhjeje sipas nevojave të tyre.

Gjithashtu, faturat e energjisë elektrike mund t’i paguani dhe përmes platformave tona digjitale, aplikacionit të OSHEE dhe faqes zyrtare www.oshee.al.

Shërbimet digjitale ofrojnë mundësi për pagesa online, të shpejta dhe të sigurta, 24 orë në ditë.

Këto opsione janë veçanërisht të përshtatshme për ata që duan të shmangin sportelet dhe të menaxhojnë pagesat në distancë.

OSHEE Group planifikon që pas Tiranës, projekti i pagesave me kartë të zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit. Synimi është modernizimi i vazhdueshëm i shërbimeve, lehtësimi i procedurave për qytetarët dhe përshtatja me trendet e reja të digjitalizimit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More