Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi në fjalën e tij në seancën plenare tha se taskforca e krijuar nga Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të parandaluar dhe hetuar krimet elektorale u shndërrua në një mekanizëm për t’u përdorur si alibi nga Partia Socialiste për të mbuluar abuzimin në zgjedhjet e 11 majit.
“Alibia juaj e vetme ishte që SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë ngritur një taskforcë që u përbetua se do të bënte namin, në fakt u shndërrua vetëm në mekanizmin tuaj apo alibinë tuaj për të mbuluar abuzimin që bëtë në zgjedhjet e 11 majit dhe nëse do të kishte pasur krime do ishin ngritur Dumani, Çela e Celibashi për t’i goditur këto krime zgjedhore. Në fakt as nuk u goditën, as nuk guxuan të godisnin krimet zgjedhore se e vërteta ishte se taskforca e ngritur ishte mekanizmi që ju vutë në lëvizje si një alibi për të grabitur zgjedhjet”, tha Bardhi.
Bardhi tha se “kurrë nuk ka ndodhur që një parti politike të zëvendësohet në zgjedhje 100% nga shteti. Asnjë kandidat për deputet nuk mund të përballet edhe me partinë, edhe policinë edhe prokurorinë, edhe me tendera, është e pamundur”.
Bardhi shtoi po ashtu se në zgjedhjet e 11 majit kishte bashkëpunim të elementëve kriminale më partitë politike.
“Këtë nuk e thotë më vetëm PD, por gjetjet paraprake të raportit të OSBE-ODIHR”, tha Bardhi.
“Ne do ta themi me zë të lartë sepse ne duam anëtarësimin në BE po me të njëjtat standarde zgjedhore si Gjermania, si Italia, si Franca. Nuk e duam Shqipërinë në mes të Evropës me standarde të njëjtat zgjedhore si Rusia”, u shpreh më tej Bardhi.
“Dy janë vendet që deri tani janë akuzuar në raportet paraprake dhe më pas nga raportet e vlerësimit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR se kanë mohuar mundësitë e barabarta të konkurrimit për partitë politike, është Rusia dhe Serbia, vendi i tretë është Shqipëria”, tha Bardhi i cili theksoi më tej se “sipas Kushtetutës kemi sistem zgjedhor që garanton vetëm dy gjëra lirinë e votimit dhe barazinë e palëve në garë, sipas OSBE-ODIHR, ju keni cenuar edhe lirinë e zgjedhjeve edhe barazinë e zgjedhjeve”.
Bardhi nënvizoi se “nëse nuk bazohet në zgjedhje të lira dhe të barabarta, i bie të bazohet tek ajo që thotë raporti i OSBE-ODIHR, tek mbështetja e elementëve kriminalë që ne i pamë në këto zgjedhje të dilnin dhe para kamerave dhe të kërcënonin dhe intimidonin deputetë të këtij Kuvendi”.
Duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit, Bardhi tha se duhet të reagonte në mbështetje të deputetëve të Kuvendit.
“Sepse një politikani ju i vini përballë një bandë kriminale, ko nuk është më politike, por është banditizëm, e keni kthyer politikën në banditizëm”, tha Bardhi.
