BDI: Anëtari i vetëm shqiptar nga gjithsej 12 në Komisionin për Çmimin “8 Shtatori” propozon vetveten për shpërblim

nga D. V.

Shkup, 5 shtator – Sot duam të alarmojmë opinionin publik për një skandal të paprecedentë që rrezikon jo vetëm integritetin e shpërblimeve shtetërore “8 Shtatori”, por edhe frymën e barazisë qytetare të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit.

Sot, në Sallën e kristaltë të Parlamentit, Komisioni për ndarjen e Çmimit shtetëror “8 Shtatori” do të ndajë çmimet më të larta për vepër jetësore dhe për arritje në fushën e sportit. Ky është shpërblimi më i lartë shtetëror në sport, një njohje e madhe që duhet të përfaqësojë drejtësi, meritokraci dhe respekt për të gjithë sportistët tanë.

Por çfarë kemi sot para syve?
– Komisioni i formuar me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, përbëhet nga 11 anëtarë maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.

Dhe, për ironi të fatit i vetmi anëtar shqiptar, Hamid Bakija në mungesë të guximit për të propozuar një sportist shqiptar, ka vendosur t’ia japë shpërblimin vetes së tij.

Kjo nuk është vetëm konflikt interesi, kjo është turp dhe padrejtësi e pastër! Një situatë absurde dhe fyese për sportistët shqiptarë, të cilët për dekada kanë kontribuar me djersë dhe sukses në sportin e Maqedonisë së Veriut, por mbeten të përjashtuar nga njohja dhe respekti shtetëror.
Ky nuk është rast i izoluar. Vitin e kaluar kemi pasur një rast identik, kur vëllai i një kryetari komune nga VMRO-DPMNE si anëtar komisioni i dha vetes shpërblim. Edhe atëherë gjithçka kaloi në heshtje. A do të heshtim përsëri?
Ne nuk do të lejojmë!

Kjo çështje do të adresohet menjëherë para Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, sepse përfaqëson konflikt flagrant interesi dhe diskriminim të hapur.

Dhe mesazhi ynë është i qartë:
– Sporti duhet të bashkojë, jo të ndajë.
– Sporti duhet të ndërtojë ura, jo barriera etnike.
– Marrëveshja e Ohrit dhe parimi i barazisë nuk janë letra boshe, por themelet mbi të cilat duhet të funksionojë çdo institucion shtetëror.

BDI mbetet e vendosur të mbrojë barazinë, drejtësinë dhe dinjitetin e çdo qytetari, në çdo institucion dhe në çdo fushë të jetës, përfshirë sportin. Ky nuk është vetëm një apel, ky është një thirrje për drejtësi dhe barazi!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More