Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentarë të NATO-s në Dejton (Dayton).
Në nder të Presidentit Begaj, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” organizoi një ceremoni të posaçme me nxënësit e shkollës “Gjuha Jonë”.
Gjatë fjalës në këtë takim, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare që nga fundi i shekullit XIX në jetën publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe veprimtarinë ndër breza për ruajtjen e identitet shqiptar.
Kreu i Shtetit risolli në vëmendje rrugëtimin e diasporës duke veçuar aktivizimin e atdhetarëve të cilët i dhanë jetë çështjes shqiptare përmes institucioneve politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të Amerikës. Gjithashtu, Presidenti vlerësoi edhe iniciativat e shqiptarëve për ngritjen e shoqatave dhe rrjeteve të bashkëpunimit mes njëri-tjetrit me synim integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kombëtar.
“Falë vlerave dhe standardeve demokratike të vendit që ju keni zgjedhur si atdhe të dytë, në këtë vend kampion të demokracisë dhe respektit të të drejtave të njeriut, shqiptarët e besimit ortodoks, katolik dhe mysliman ndërtuan objektet e tyre shqipfolëse të kultit, të cilat u bënë qendra jo vetëm fetare, por edhe kulturore e arsimore”.