Berisha: Do të ketë garë të hapur për kryetarin e PD-së, do të kandidoj

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme brenda partisë për drejtimin e saj.

Duke iu përgjigjur gazetarëve në lidhje me një deklaratë të deputetit demokrat Besart Xhaferri, sipas të cilit kreu i PD-së, duhet të ikë vitin e ardhshëm nëse nuk fakton farsën zgjedhore të 2025, Berisha tha se farsa tashmë është faktuar nga raporti i ODIHR-it.

Berisha theksoi më tej se do të ketë një garë për kreun e Partisë Demokratike.

“Së pari, cilido që lexon raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe ka kulturën minimale në të drejtën elektorale, kupton se zgjedhjet kanë qenë farsë. Janë zhvilluar në kushtet e partisë-shtet, e thotë këtë rekomandimi i Këshillit të Europës. Janë zhvilluar në kushte të pabarabarta e thotë raporti paraprak i OSBE-ODIHR. Që këtu zgjedhjet janë farsë dhe jo zgjedhje”, tha ai.

“Së dyti, ju garantoj se çdo deputet, anëtar, mbështetës i kësaj partie do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka. Natyrisht interpretimi i nenit të statutit, duhet të jetë i saktë. Statuti bën fjalë për zgjedhje, e jo për farsa dhe tani që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD-së që do t’i bëjë interpretimin përfundimtar. Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së e hapur për cilindo. Sigurisht që do të jem”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha foli edhe për Aeroportin e Vlorës, që sipas tij “falimentoi para se të fillojë funksionimin”.

Sipas Berishës zyrtarë të qeverisë kanë firmosur një kontratë që i akuzon direkt përgjegjës për një “aferë megakorruptive”.

Berisha tha se është firmosur “kalimi i aksioneve nga kompania turke, e cila është kompani me ekspertizën në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve, pa të cilën aeroporti nuk ndërtohej tek Mabco Construction dhe që në këtë moment, tenderi rrëzohet”.

“Shtyllë kryesore e tenderit nuk ishte Mabco Construction sepse nuk kishte asnjë eksperiencë, por kishte kompania turke që ishte ndërtuese dhe menaxhuese aeroportesh. Dhe, një numër kompanish të tjera që u paraqitën në tender, por që nuk kishin ekspertizën e kompanisë turke, u përjashtuan”, tha Berisha.

Berisha shtoi se në “10 vitet e para, shqiptarët i paguajnë koncesionarit 140 milionë për trafikun e munguar”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More