Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet sot, sulmoi drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumanit, duke e cilësuar si “armik i egër i pluralizmit”.
Një ditë pas raportimit të kreut të SPAK në Kuvend, Berisha tha sot se Dumani “u shndërrua në amnistues të krimit të njohur ndërkombëtarisht elektoral”.
“Njeri pa asnjë ndërgjegje, as profesionale dhe as njerëzore”, tha Berisha.
Sipas Berishës, për Dumanin “parime janë vetëm statuti i PS dhe lufta e egër ndaj opozitës dhe pluralizmit”.
Berisha tha se në fjalën e tij në Kuvend nuk u mor “me qëndrimet e tij antikushtetuese, antiligjore, hakmarrëse, primitive ndaj meje”, por me “shkelmimin që u bën ai interesave të qytetarëve”.
“U mora me 1,4 miliardë euro, një seri aferash dhe që nuk janë as një e katërta e aferave që ky person i papërgjegjshëm, mashtrues, nuk i heton, sepse janë qeveritarët e tij”, tha Berisha.
Sipas Berishës, Dumani lexonte në Kuvend “gazeta, lexonte shkrimet e zëdhënësit të vet, të porositura dhe të blera”.
