Berisha në SPAK për “21 Janarin”: Nuk është qëlluar nga brenda Kryeministrisë

nga D. V.

Ish-kryeministri Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për vrasjen e 4 protestuesve në 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.

Berisha mbërriti në SPAK rreth orës 09:00 dhe u mor në pyetje për rreth 2 orë nga prokurorët e çështjes.

Pas daljes nga SPAK, Berisha theksoi se u pyet se çfarë ndodhi më 21 janar, ndërsa shtoi se ishte ajo ishte “protesta më e dhunshme në historinë e vendit”.

Sipas tij, kishte axhendë për dhunë. “Unë isha njeriu i rrethuar, njeriu që dritaret iu gjuajtën me gurë, njeriu që u kërkua të përmbyset pushteti i tij, iu kërkua të largohet ose do kalohet mbi kufoma. Këto janë të dokumentuara. Dhe që kishte dalë nga një palë zgjedhje që kishin plotësuar standardet kryesore ndërkombëtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e lira. Por Edi Rama me epshet e pushtetit kërkonte të përmbyste”, tha ish-kryeministri.

Berisha tha për mediet se “nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë” dhe se “kjo është gënjeshtër me bisht”.

Sipas tij, asnjë urdhër nuk është dhënë dhe nuk mund të jepet për të qëlluar.

“Absolutisht gënjeshtër me bisht kjo që thua. Jo nga brenda, meqenëse u referohesh medieve, merr filmimet ushtarët e Gardës kanë qëlluar, jo nga brenda. The nga brenda, korrigjo këtë. The një gënjeshtër, sepse nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë. Është qëlluar nga vend-rojet e rojet e gardës. Garda ka një ligj, i cili ligj autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt, apo ndonjë gjë. Të qëllojë në ajër, kur ajo përsëritet, të qëllojë te këmbët, kur ajo përsëritet ta eliminojë. Ky ligj është votuar nga PS-ja, jo nga ne. Garda që ta mësoni ju, dhe mund të rrëmoni 120 mijë herë, nuk funksionon me urdhër, po me ligj. Pra, sado që ta ktheni apo stërktheni, Garda apo çdo vendroje e armatosur funksion me ligj. E qëllove, gjuajtje drejt tij, duhet të qëllojë në ajër. Vazhdove persistove, duhet të qëllojë tek këmbët, vazhdove persistove, duhet të eliminojë rrezikun. Këtë i thotë ligji i Gardës”, deklaroi Berisha.

Gjithashtu, Berisha tha se “Basha ka ardhur në zyrën time dhe ka kërkuar nga unë, sepse ishin thyer xhamat me plumba apo me gurë, tek dritarja ngjitur me tavolinën time dhe ministri, komandanti i Gardës kanë ardhur dhe më kanë thënë të evakuojmë, jo i thashë. Sepse unë isha jashtë me ambasadoren gjermane dhe u futa drejt e në zyrë. Unë isha në detyrë. Të shkosh në një zyrë tjetër, jo unë isha në detyrë. Kjo është zyra ime. Kryeministri nuk mund të bëjë zyrat sipas qejfit, është institucion kushtetues kryeministri. Kjo ka qenë kërkesa e tyre dhe unë kam qëndruar në zyrë deri në fund. Aty ka pasur një ndërmjetësim ndërkombëtar. Ka ndërmjetësuar ambasadori i SHBA-së dhe çdo oficer i kërkuar nga prokuroria është paraqitur në prokurori, por në ndjekje të lirë sepse Edi Rama dhe Ina Rama kërkonin që të eliminonin zinxhirin e komandës në një kohë kur Edi Rama kishte deklaruar se, beteja tjetër do të ishte vendimtare dhe secili nga gardistët e thirrur janë paraqitur në prokurori. Të gjitha të tjerat janë mashtrime”.

Ai tha më tej se thirrja e tij në SPAK për dëshmi është procedurë normale, por u përdor për “propagandë socialiste”.

“Thirrja e një njeriu për të dëshmuar në këtë institucion është procedura më normale, por ama nuk është procedurë publike”, tha Berisha.

Sipas Berishës, SPAK është “një institucion banal i propagandës socialiste”.

“Një procedurë është krejtësisht diskrete, që nuk ka asnjë lidhje as me mediat, as me publikun, ua jep përpara medieve përpara se të më japë mua”, u shpreh Berisha.

Kjo është hera e parë që Berisha do të pyetet nga SPAK për “21 Janarin” dhe rolin e tij në këtë çështje që tashmë është në hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Në 30 tetor SPAK mori në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha për ngjarjen e 21 Janarit.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në nëntor të vitit 2023 Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.

Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More