Berisha në SPAK: Prokuroria mashtron, “Bankers Petroleum” ka paguar çdo qindarkë gjatë qeverisjes sonë

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme dha edhe një prononcim për mediet, nga ku sulmoi kreun e SPAK Altin Dumani, duke e theksuar se “me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore, këto dy të fundit fund e krye qeveritare, dëshmon se është de facto përgjegjësi më kryesor për kriminalitetin në Shqipëri”.

I pyetur në lidhje me arrestimet te Bankers, Berisha tha se “prokuroria mashtron dhe se kompania ka paguar qindra milionë euro gjatë qeverisjes sonë”.

“Po të garantoj që edhe më shumë, gjer në 200-250 milionë në vit gjatë kohës që kemi qenë ne në pushtet. Jo vetëm kaq, por ka paguar me detyrim taksën e karbonit që e shtuam, ka paguar, e them këtu, në vlerësimin tim, në mënyrë të padrejtë, ka paguar taksën e holluesit, të cilin e paguante dy herë: një herë kur injektohej dhe pastaj kur nxirrej. Janë librat e tatimeve dhe nuk veprohet në këtë mënyrë, se është banditizëm. Ajo ka qenë kompani publike kanadeze e listuar në bursë dhe ka pranuar dhe ka paguar rentën. Dhe renta e saj është e barabartë me 70 për qind të rentës të gjithë industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Ajo ka paguar 1500 familje me rroga fare të mira dhe me sigurime shoqërore. Ajo ka paguar pagesën koncesionare që shkon në qindra-milionë euro naftë për “Albpetrolin”. Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë”, u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij Berisha u ndal edhe te djegia e mbetjeve në Elbasan dhe Vlorë, që sipas tij, është një “krim i amnistuar nga ‘Altin Troplini’”, duke iu referuar kreut të SPAK.

“Tani, siç jeni informuar për 6 ditë me radhë, qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti. Ky krim i rëndë mjedisor, sikundër krimi i rëndë ciklik mjedisor në Vlorë, nuk ekziston për ‘Altin Troplinin’, paçka se ligji, krimet mjedisore ia kërkon këtij institucioni, sepse i ka shpallur krime të rënda”, tha Berisha.

Berisha tha se PD ka bërë kaq shumë padi, por ky është institucioni i amnistisë së krimeve.

“Opozita shqiptare e ka denoncuar nëpërmjet eksponentëve ose drejtuesve më kryesorë të Elbasanit. Vetë PD ka bërë te ky institucion me dhjetëra e dhjetëra denoncime dhe ka denoncuar disa herë djegësin e Elbasanit, por këtu, ky institucion është institucioni i amnistisë së krimeve të rënda mjedisore. Të vetmen gjë që nuk mund të themi është se, PD nuk ka bërë padira. PD ka bërë kaq shumë padira!”, tha Berisha.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More