Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur sot për të miratuar listën e kandidaturave për primaret.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se “ka pasur një numër të madh kërkesash, kandidaturash dhe kjo është dëshmi e shkallës së lartë të besimit që kanë shqiptarët tek PD”.
“Sot, në këtë mbledhje ne miratojmë kandidaturat e qindra e qindra aktivistëve, drejtuesve, demokratëve, mbështetësve tanë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në procesin e primareve, proces ky nga themelorët për të qenë kandidatë për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë nga PD. Të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces tregojnë besimin që ata shprehën tek PD”, tha Berisha.
Para anëtarëve të kryesisë, kryedemokrati u ndal edhe te programi i Partisë Demokratike.
Sipas Berishës programi, “jo vetëm që u jep përgjigje problemeve të rënda të akumuluara këto 12 vite, por u jep përgjigjen më të shkëlqyer, u jep përgjigje dhe zgjidhje më të mirë në interesin e çdo qytetari problemeve madhore me të cilat përballet individi dhe shoqëria shqiptare sot”.
“Ky program përmban: Vendosjen e minimumit jetik për çdo qytetar shqiptar; vendosjen e rrogës minimale 500 euro, 25% më e lartë se kjo që është sot; taksa e pronës do të zbresë 5 herë, do të ulet me 500%; çmimi i energjisë për bizneset do të ulet me 300%, do të ulet tri herë; çmimi i naftës do të ulet me 40%; tatimi mbi të ardhurat zbret në 10%”, tha Berisha.
Berisha shtoi se Shqipëria turistike është pa mëdyshje një objektiv që do të konsolidohet.
Duke u ndalur tek shëndetësia, Berisha tha se “ne nuk premtojmë shëndetësi falas, sepse premtimi i shëndetësisë falas solli këtë gjendje dramatike të këtij sistemi sot. Por ne premtojmë absolutisht një kujdes shëndetësor cilësor. Premtojmë një dyfishim të buxhetit për kujdesin shëndetësor dhe jo të qytetarëve, por të buxhetit të shtetit”.
Berisha tha po ashtu se “çdo pension nën 200 euro, do të bëhet 200 euro. Dhe unë ju them që pensionet e fshatit janë mesatarisht 120 euro”.
Ai tha më tej se “do të bëjmë gjithçka për të nxitur fuqishëm rritjen demografike të Shqipërisë”.
“Do të bëhet gjithçka për rikthimin e emigrantëve”, shtoi Berisha.