Berisha për deklaratat e Kos dhe Gonzato: Përçues të propagandës së Ramës

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme për mediet, foli në lidhje me Asamblenë e Përgjithshme të Internacionales Demokrate të Qendrës (CDI) të mbajtur në San Paolo, Brazil, ku sipas tij Shqipëria u trajtua si një nga çështjet qendrore.

Berisha pohoi se CDI miratoi një rezolutë të veçantë për Shqipërinë, e cila denoncon regresin demokratik, kapjen e shtetit dhe depërtimin e krimit të organizuar në institucionet shtetërore.

Gjatë deklaratës për media, Berisha lexoi pjesët kyçe të dokumentit, i cili sipas tij ngre shqetësime serioze për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend.

“Konstaton me shqetësim të thellë gjetjet e Raportit Final të OSBE/ODIHR, i cili konfirmon shkrirjen sistemike të pushtetit shtetëror me atë partiak, keqpërdorimin masiv të burimeve publike dhe klimën e intimidimit të drejtësisë selektive që pengoi konkurrencën e barabartë. Bën thirrje që Bashkimi Evropian, Shtetet Anëtare dhe partnerët demokratikë të sigurojnë që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të mbetet rreptësisht i bazuar në meritë, i lidhur me progres të verifikueshëm në sundimin e ligjit, integritetin zgjedhor dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Berisha.

Gjatë konferencës, Berisha u pyet nga gazetarët lidhur me deklaratën e Komisioneres Kos për zgjedhjet e 11 Majit e cila i cilësoi të lira dhe të ndershme.

“PD pas deklaratës së Marta Kos, bëri një deklaratë në të cilën ajo e publikisht dhe gjerësisht, deklaratën e frymëzuar të zonjës Kos, nga propaganda e paguar e Edi Ramës, ekstremizmit politik i majtë apo dizinformimi, si një deklaratë që shkel rëndë ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve dhe ligjin kombëtar. Ajo ç’ka unë dua të them, sot lexova para se të vij këtu, se ka patur një reagim nga ana e zëdhënësit të Komisionit Europian, i cili shpreh qëndrimin korrekt të Komisionit Europian të papajtueshëm me qëndrimin e Marta Kos, një adhuruese pa kushte për arsye të saj, të Edi Ramës dhe bëmave, gjëmave të tij. Ndaj dhe unë falënderoj Komisionin për reagimin dhe garantoj se PD mbetet e përkushtuar totalisht për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si e ardhmja më e shkëlqyer për shqiptarët. Sikundër thekson se sot Shqipëria në mënyrë absolute përveç pozicionit gjeostrategjik, nuk plotëson asnjë nga kushtet dhe kriteret që kërkohen për këtë anëtarësim”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se “të ngjashme, por jo identike me qëndrimet e zonjës Kos janë qëndrimet e ambasadorit Gonzato, i cili është një përçues i propagandës së paguar të Edi Ramës dhe i dezinformimit të papërmbajtur”.

“Lidhur me këtë të fundit, unë u kam informuar ju se ky zotëri, për të përcjellë propagandën e Edi Ramës, u thotë deputetëve të Parlamentit Europian se kryetari i PD nuk është pro-perëndimor pasi axhenda e tij është MAGA dhe jo integrimi. Ky është një trillim, një mashtrim, e kam dënuar njëherë dhe e dënoj prapë. PD ka qenë dhe mbetet absolutisht e përkushtuar në procesin e integrimit. Janë të gjitha integrimet e mëdha të Shqipërisë vepër e kësaj partie”, nënvizoi  kreu i PD-së.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More