Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se qindra familje që janë prekur nga përmbytjet për shkak të reshjeve intensive të shiut, janë lënë në mëshirë të fatit.
Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se qeveria nuk ka dhënë asnjë ndihmë dhe asnjë mbështetje për familjet e përmbytura.
“Qindra dhe qindra familje në rrethet Lezhë, Kurbin, Mat, Dukagjin, Shkodër, janë në mëshirën e fatit. Kanë përjetuar tmerre nga vërshimet e papërmbajtura të lumenjve, ujërave dhe narkoqeveria e tëra është në narkozë. Asnjë ndihmë, asnjë mbështetje. Njerëz të lënë në mëshirën e natyrës dhe të Zotit vetë”, tha Berisha.
Sipas Berishës këto shtrëngata u njoftuan nga stacionet meteorologjike më serioze të paktën një javë para, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë.
“Deputetë të PD ndodhen në terren dhe po ndjekin me shqetësim të madh situatën. Ata përveç solidaritetit nuk kanë mjete të tjera. Ajo që quhet Mbrojtje Civile, ajo është inekzistente. Pra, qytetarët të lënë në mëshirën e fatit”, vijoi Berisha.
“Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve, të cilët po përjetojnë tmerret e përmbytjeve të papritura”, tha Berisha.
Berisha theksoi se kjo qeveri nuk ka asnjë lloj preokupimi tjetër veçse si të fshehë gjurmët e vjedhjeve që ka kryer.
