Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme për shtyp dënoi atë që e cilësoi aksion të qeverisë ndaj banorëve të Thethit, “akt shtetëror terrori” dhe një nga veprimet më të rënda në historinë e vendit.
“Dënoj me forcën më të madhe aktet e terrorit shtetëror, krimit shtetëror të kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndërprerjen e këtij terrori”, tha Berisha, teksa kërkoi, “dëmshpërblimin e të gjitha banesave të prishura, të premtuara se do legalizohen”.
Sipas tij, “çdo gjë bëhet për të mbuluar funeralin elektoral të 11 majit apo farsën elektorale të 11 majit”.
“Terrori shtetëror, dhuna dhe shkatërrimi i ekonomive të banorëve të Thethit është një nga aktet më të rënda, më të paprecedentë në historinë e një vendi”, tha Berisha.
“Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth absolutisht nuk ekziston absolutisht asnjë pëllëmbë tokë e xanun, jo në Theth, po as në veri askund sepse tokën ata e kanë trashëgimi shekullore të paraardhësve të tyre dhe nuk kanë marrë kurrë asnjë pëllëmbë tokë të tjetërkujt apo tokë të askujt. Ka edhe toka të askujt, mera quhen, toka publike”, tha Berisha.
“Kreu një aksion urrejtje të papërmbajtur ndaj njerëzve që kishin shfrytëzuar pronën e vet për të ndërtuar pasi i kishte autorizuar, pasi ai dhe kreu i Bashkisë së Shkodrës, në një seri deklaratash i kishin garantuar se do legalizoheshin dhe do marrin lejet e legalizimit. Pasi u kishte kërkuar që të ftojnë njerëzit e tyre në emigracion të vijnë dhe të investojnë në Theth, Edi Rama u soll ndaj Thethit si një shkatërrimtar”, shtoi Berisha.
Sipas Berishës, qeveria nuk ka investuar në 12 vite në qarqet e veriut.
“Po të heqim Rrugën e Arbrit, e përfunduar më shumë se gjysma gjatë qeverisjes sonë, por në fakt investimet janë të barabarta me ato të një rrethi të vetëm të kategorisë së tretë në zonat e tjera të vendit”, tha Berisha.
