Berisha: Shpërthimi në banesën e Mziut, akt terrorizmi për t’i mbyllur gojën opozitës

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha reagoi sot në lidhje me vendosjen e lëndës plasëse jashtë banesës së deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, në Kamzë.

Gjatë një konference për mediet, ku ishte i pranishëm edhe vetë deputeti Xhelal Mziu, Berisha e cilësoi vendosjen e tritolit si “akt terrorizmi shtetëror që synon t’i mbyllë gojën opozitës”.

Berisha tha se banesa e Mziut “u sulmua me tritol nga banditë shtetërorë”.

“Sot unë jam këtu me deputetin Xhelal Mziu për të denoncuar një akt terrorizmi shtetëror ndaj deputetit dhe familjes së tij. Banesa e deputetit Xhelal Mziu, duke qenë brenda në banesë, është sulmuar me tritol nga banditë shtetërorë”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka krijuar dëme edhe në zonën përreth.

Ky akt shtoi Berisha “vjen pas qëndrimit të djeshëm antikushtetues të kreut të organizatës kriminale ndaj parlamentit dhe opozitës”.

“Ky akt ka vetëm një synim, të mbyllë gojën e opozitarëve”, tha Berisha.

Berisha tha se është iluzion të besosh se policia do të zbardhë krimin politik.

“Unë nuk mund të them se çdo segment i policisë është i infiltruar nga krimi, por të besosh se do e zbardhë, do e pranojë të zbardhin krimin politik policia, është një iluzion”, tha Berisha.

Mziu: Hakmarrje politike

Edhe deputeti Mziu u shpreh se e “sheh si një hakmarrje politike për qëndrimet ndaj kësaj qeverie”.

“Isha unë me familjen, komshinjtë, por jo vetëm ato, por dhe në Kamzë apo persona nga Tirana e kanë dëgjuar oshëtimën e këtij tritoli. Pati dëme materiale. Normalisht jam i gëzuar që nuk pati probleme njerëzore as tek unë, dhe as tek kalimtarët që ishin në rrugë. Nuk kam asnjë lloj konflikti me asnjë person, gjatë karrierës time, nuk kam asnjë borxh ndaj askujt.

Unë e shoh këtë një akt absolutisht politik dhe është një sinjal për të treguar se, nuk mund të sillesh apo reagosh ndaj kësaj qeverie krimi dhe korrupsioni. Kështu që përveç se një hakmarrje politike, unë asgjë tjetër nuk mund ta konsideroj”, tha Mziu.

Mziu tha se ky ishte një sinjal i mazhorancës për të mbyllur gojën.

Policia njoftoi sot se rreth orës 00:55, në rrugën “Arjan Sala” në Kamëz, në murin rrethues të banesës së Xhelal Mziut është vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More