Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli sot për sistemin e drejtësisë në vend, ndërsa theksoi se shqiptarët tani presin 16 vite për një proces gjyqësor dhe kjo, sipas tij, u pohua nga krerët e institucioneve të drejtësisë në Kuvend.
Duke folur për raportimin e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë në Kuvend, Berisha tha se “sot, të dhëna të padiskutueshme faktojnë dështimin e plotë dhe kolapsin e plotë të atij sistemi”.
“Ata që e mbështetën këtë reformë, përpiqen tani me shpifje, me mashtrime dhe me forma të ndryshme të mbulojnë dështimin e tmerrshëm. Të mbulojnë faktin se ka një vend në planet dhe jo në Mars, në të cilin zbardhja e vendimit të gjykatës kërkon 1200 ditë. Unë i përgëzoj kryetarët e institucioneve të drejtësisë që patën kurajën t’u thonë shqiptarëve të vërtetën. Patën kurajën në parlament të pohojnë se shqiptarët tani presin 16 vite për një proces dhe se, nga një vit në vitin tjetër, ky afat është shkurtuar 16 ditë”, tha Berisha.
Ndërkohë, sipas tij, “korrupsioni është minimumi 3 deri 5-fishuar dhe dosjet mbyllen kundrejt ryshfeteve”.
Duke iu referuar raporteve të Departamentit të Shtetit për vitet 2008-2009, Berisha tha se “në këto 2 vite, taskforca kundër korrupsionit çoi në gjykatë dhe u dënuan 630 zyrtarë”.
“Në dy vite, sipas raportit të SPAK dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, janë dënuar gjithsej 199 persona për korrupsion, dhe një pjesë e tyre janë edhe për krim të organizuar. Pra, tre herë më pak. U janë hequr imunitete edhe zëvendëskryeministrave, edhe në vitin 2009 dhe kanë shkuar në procese gjyqësore. Por ama kishte një ligj përpara dhe ai ligj ishte se asnjë ministër nuk kryesonte autoritetet kontraktuese. Me ligj, e ndaluar”, shtoi Berisha.
