Qeveria gjermane tha sot se stabiliteti i çdo marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë – do të varej në mënyrë vendimtare – nga garancitë e sigurisë për Kievin.
“Interesat thelbësore evropiane janë në rrezik”, u tha zëdhënësi i qeverisë Stefan Kornelius gazetarëve në Berlin.
Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas po zhvillojnë aktualisht bisedime në kryeqytetin gjerman për të diskutuar versionin më të fundit të propozimit të paqes – të mbështetur nga SHBA-ja.
Kornelius tha se negociatorët amerikanë ishin ftuar gjithashtu në takimin e krerëve të qeverive dhe shteteve evropiane – të planifikuar sot në mbrëmje në Berlin – si pjesë e bisedimeve të vazhdueshme mbi Ukrainën.
Duke përshkruar prioritetet evropiane, Kornelius tha se negociatat po përqendroheshin në çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë.
“Çështja e sigurisë, në veçanti, do të përcaktojë nëse kjo luftë vërtet do të ndalet apo do të rindizet, apo nëse një rindezje e konfliktit mund të pengohet apo parandalohet”, tha ai.
Kornelius tha se ishte e rëndësishme të diskutoheshin detajet, duke shtuar se prania e shumë udhëheqësve evropianë nënvizonte unitetin evropian.
Propozimet specifike, që janë aktualisht në tryezën e bisedimeve në Berlin – nuk janë bërë të ditura publikisht, por negociatat po përqendrohen në çështjen e lëshimeve territoriale, garancitë perëndimore të sigurisë për Kievin – për të penguar Rusinë të sulmojë sërish pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje, si dhe asetet ruse – që aktualisht janë të ngrira për shkak të sanksioneve të BE-së.
