Blaisse: Shqipëria hapa të mëdhenj në forcimin e gjyqësorit

nga D. V.

Drejtoresha e Qendrës Holandeze të Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin (SSR), Margreet Blaisse theksoi të premten në Tiranë se “sot nisim një projekt të ri, i cili synon të forcojë më tej integritetin e gjyqësorit në Shqipëri”.

Në fjalën e saj gjatë takimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në bashkëpunim me projektin “Matra” të qeverisë së Mbretërisë së Holandës, me institucione të drejtësisë për të folur mbi çështje të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit, Blaisse tha se “integriteti i gjyqësorit është thelbi, baza e funksionimit të mirë dhe të pavarur të gjyqësorit dhe gjithashtu për shtetin e së drejtës”.

“Kjo nuk është temë e re për ju, përkundrazi, hapa të mëdhenj janë bërë tashmë dhe tani synimi është të forcojmë, të konsolidojmë atë që është arritur tashmë, duke siguruar një bazë të mirë për hapat e ardhshëm”, tha Blaisse.

Blaisse u shpreh se “kur shikoni pas në atë që është arritur duhet të jeni krenarë, sepse ka qenë një përpjekje e madhe dhe në të njëjtën kohë ka ende shumë gjëra që duhen bërë”.

“Është një rrugë e gjatë për të arritur standardet dhe unë e di që ka një nxitje të fuqishme për ta bërë këtë dhe në të njëjtën kohë është e rëndësishme të theksohet se ku saktësisht jemi në këtë pikë për të konsoliduar atë që është arritur dhe për të forcuar themelet”, nënvizoi Blaisse, duke shtuar se është e rëndësishme të reflektojmë për atë që nevojitet tani dhe kjo është ajo që ju keni bërë dhe për këtë është edhe projekti.

Më tej Blaisse foli për objektivat e projektit “Forcimi i Integritetit Gjyqësor në Shqipëri”.

“Objektivat kryesorë të projektit janë të forcojë etikën e gjyqësorit nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe gjithashtu është e rëndësishme të mbështesë magjistratët e rinj në lidhje me integritetin dhe vlerat profesionale të tyre. Gjithashtu të forcohet besimi i publikut dhe për të arritur këtë do të organizohen seminare dhe trajnime profesionale mes kolegëve, që është një instrument shumë i rëndësishëm”, tha Blaisse.

Projekti “Forcimi i Integritetit Gjyqësor në Shqipëri”, një projekt MATRA i financuar nga Mbretëria e Holandës, synon të forcojë profesionalizmin, etikën dhe besimin e publikut tek gjyqësori shqiptar pas procesit të vetting-ut. Përmes ofrimit të trajnimeve të vazhdueshme, punëtorive dhe shkëmbimit të njohurive me ekspertë gjyqësorë holandezë, projekti synon të garantojë qëndrueshmërinë afatgjatë të reformave në drejtësi, duke u përqendruar tek përmirësimi i standardeve etike, mbështetja e magjistratëve dhe inspektorëve, si dhe promovimi i transparencës.

I shtrirë nga shtatori 2025, deri në dhjetor 2027, projekti do të përfshijë trajnime të tipit intervision për të nxitur reflektimin etik, duke u mundësuar magjistratëve të shqyrtojnë çështje të ndërlikuara dhe duke inkurajuar dialog të hapur përmes një platforme ku mund të shprehin pasiguritë, të marrin komente nga kolegët dhe të menaxhojnë çështje të ndjeshme.

Projekti përfshin gjithashtu një vizitë studimore në Holandë dhe zbatohet nga Qendra Holandeze e Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin (SSR) në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë shqiptare.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More