Shkup, 18 korrik – Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljupço Kocevski, së bashku me disa prokurorë publikë, zhvilloi një takim pune me një ekip nga Programi për forcimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe Ambasadën e Britanisë në Shkup, të udhëhequr nga Nik Hokins, lider i ekipit dhe ish-Prokuror i Kurorës së Mbretërisë së Bashkuar, dhe eksperti Kalum Koks, avokat, gjyqtar dhe prokuror publik me shumëvjeçar në Britaninë e Madhe.
Në takimin, siç informojnë nga PPRMV-ja, është mbajtur dje, u shqyrtuan mundësitë për mbështetje dhe ndihmë nga ekspertë britanikë për prokuroritë publike të Maqedonisë përmes Programit për forcimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, i cili po zbatohet në pesë vende të Ballkanit Perëndimor: Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Serbi.
Programi përfshin katër komponentë: forcimin e institucioneve gjyqësore, vendimmarrje të pavarura të prokurorisë, transparencë të përmirësuar, qasje publike dhe praktika të përmirësuara të shqiptimit të dënimeve, si dhe qeverisjen dhe llogaridhënien e përmirësuar.
Kocevski, thuhet në njoftim, i njoftoi ekspertët britanikë mbi situatën në Prokurorinë Publike, si dhe fokusin e theksuar në forcimin e qendrave hetimore të prokurorisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në takimin e punës, shefi i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, njeriu i parë i Prokurorisë Themelore Publike më të madhe në vend – PTHP Shkup Gavril Bubevski dhe kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, prokurori publik në PPRMV, Elvin Veli, diskutuan më hollësisht me ekspertët britanikë të gjitha aktivitetet kryesore në të cilat mund të përdoret ndihma e ekspertëve britanikë.
Në këtë rast, si një hap bazë brenda projektit, u ra dakord për finalizimin e Metodologjisë për vlerësimin e ndërlikimit të lëndëve. Gjithashtu përmes programit do të përfshihen edhe trajnime të strukturuara për prokurorët publikë mbi disa tema konkrete. Në të njëjtën kohë, një pjesë e programit do të përfshijë edhe mentorim të drejtpërdrejtë në raste të ndërlikuara me qëllim vëzhgimin e përvojave dhe praktikave më të mira nga Britania e Madhe në zhvillimin dhe efikasitetin e procedurave prokuroriale.
